Kosove

Shqiperia

Rajon dhe Bote

Albania Site Portal

Albania Site Portal


Drande Xhai: Ma i bukri vend esht Shkodra ku kam le…

Posted: 28 Oct 2010 11:38 AM PDT

Drande Xhai është një ndër aktoret më të talentuar dh emë të dashura për publikun shqiptar. Vlerësohet për rolet e saj të paharrueshme, si Lica tek filmi "Thirrja", nusja tek komedia "Daja i burrit", Mrika tek "Toka e Dan Dupit", apo dhjetëra role humoristike të realizuara prej saj përkrah aktorëve Tano Banushi, Zyliha Miloti, Zef Deda e shumë emra të tjerë të humorit shqiptar. Në këtë intervistë "Retrospektivë" (rubrika më e re e gazetës sonë) aktorja rrëfen rolet e saj ndër vite, emocionet, sukseset, lidhjen e ngushtë me Shkodrën si dhe projektet e radhës.

Nga Fabjola Kuburi

Drande Xhai, figurë e njohur e humorit shkodran në veçanti dhe atij shqiptar në përgjithësi, me sa nostalgji i kujtoni fillimet e karrierës tuaj?

Përveçse nostalgji më shumë është emocion që e kam shumë të vështirë për ta përshkruar. Fillimet e mia në teatrin "Migjeni" dhe të punosh me aktorë kaq të mëdhenj, mjeshtra të skenës që kushdo do ta kishte ëndërr t'i takonte qoftë edhe njëherë në jetë. Eksperienca ime e parë dhe që nuk do të shlyhet ndonjëherë nga kujtimet e mia është roli i Licës në filmin "Thirrja" kur unë isha vetëm 16 vjeçe ku kam interpretuar me Ndrek Lucën, Tinka Kurtin, Vitore Ninon, Viktor Brucetin dhe ishte mrekullia vetë për mua.

Cili ka qenë roli që ju ka bërë të njohur për publikun shqiptar?

Gjatë një karriere 30-vjeçare në teatër, duke interpretuar në çdo premierë 3-4 role është vështirë të veçosh. Sipas shijeve të publikut po rreshtoj rolin e Mrikës tek skeçi "Toka e Dan Dupit", italiania tek "Ndihmat", nusja tek "Daja i burrit", vajza te "Dhëndri nga Amerika". Role mjaft të bukur dhe shumë të pëlqyer nga publiku dhe kritika. Janë edhe në disa komedi dhe në 3 drama si komedia e "Kur këndon gjeli" rol kryesor, komedia "O vajzën, o komunën".

Sërish pas në kohë, roli juaj i parë cili ka qenë?

Roli im i parë ka qenë Lica në filmin "Thirrja", ndërsa në estradë si profesioniste ka qenë një rol vajze në premierën "Ju lumshin duart" me regjisor Paulin Sekujn. Partner në rolin e babait kam pasur te pavdekshmin Tano Banushi. Në këtë shfaqje dhe shumë të tjera kam bërë edhe prezantuesen.

Shkodra njihet si "djepi i kulturës dhe i humorit", cili është mendimi juaj për këtë?

Është e vërtetë që Shkodra është "Djepi i kulturës dhe i humorit", sepse në këtë qytet ka startuar pothuajse gjithçka, veç kësaj vetë shkodranët e kanë në gjak humorin, e kanë 'ushqim' të përditshëm

Si është një ditë e zakonshme juaja tani Drande?

Dita ime fillon me një kafe sapo zgjohem, më pas duhet të zgjedh veshjen e ditës, mundësisht jo dy ditë njësoj, të kujdesem për një tualet të lehtë dhe mundësisht të kombinuar me veshjen. Më pas të marr dosjen me materialet, i hedh një sy për t'i kujtuar dhe nisem në punë, sepse e kam merak te jem e para aty. Pas pune një kafe me miq dhe në shtëpi. Pas drekës lexoj diçka dhe më pëlqen të çlodhem pak në internet.

Çfarë do bëje sikur të ktheheshe edhe njëherë në rolet e para, do t'i merrje përsipër, apo do ndryshoje diçka?

Sikur të kthehesha në rolet e para shumë prej tyre do i merrja përsipër sigurisht duke i sjellë në kohë, pasi ka pasur vërtetë role shumë të bukura dhe që kanë mbetur në mendjen e artdashësve dhe shpesh janë ata që na i kujtojnë shumë prej tyre. Nuk mendoj se do kisha ndryshuar diçka.

Shkodra ka nxjerrë aktorët më të mirë të humorit shqiptar me të cilët ju keni interpretuar për vite me radhë, a i mbani lidhjet me ta?

Shkodra ka qenë një shkollë më vete për kapacitetet dhe vlerat që ka pasur dhe vazhdon t'i ketë, aktorë me vlera kombëtare nga të cilët unë kam mësuar jashtëzakonisht shumë dhe ka qenë fat i madh të jem krah tyre në rrugën time të artit. Nuk mund të mos përmend të paharrueshmin Tano Banushi, Hasan Smaja, Jolanda Shala. Ruaj marrëdhënie shumë të mira me Paulin Prekën, Gëzim Krujen, Zef Dedën, Katerina Bigën, Sandër Ruçin, vazhdoj të punoj me Zyliha Milotin, Besnik Çinarin, e Anton Krosaj. Së shpejti do jemi në Pallatin e Kongreseve në recitalin e Zef Dedës.

Cili ka qenë roli që ju ka lodhur më shumë gjatë eksperiencës tuaj?

Të them të drejtën më ka lodhur shumë roli i një pensionisteje e moshës 70-vjeçare kur unë isha vetëm 36 vjeçe. Ka qenë një material që kam luajtur me aktorin Paulin Preka dhe është pritur jashtë mase mirë nga spektatori që edhe sot ma kujtojnë. Vetëm se unë e di çfarë kam hequr. U desh të ndryshoja gjithçka jo vetëm nga pamja e jashtme, por të gjithë botën shpirtërore në mënyrë ekstreme. Gjithsesi, rezultati ishte suksesi dhe ia vlejti lodhja.

Po roli të cilin e keni më për zemër cili është?

Kam shumë role për zemër, janë pjesa më e bukur e jetës time dhe vështirë të veçoj. I dua shumë gati të gjithë rolet e mia. Kam jetuar çdo minutë me ta, në punë, në rrugë, në kafe në dreka, në darka, në gëzime e brenga. I kam pasur përherë me vete, sepse gjithmonë gjeja diçka për ta pasuruar çdo rol që kam interpretuar.

Të gjithë flasin për art, kulturë, çfarë është "arti" për ju?

Për mua arti është gjithçka, arti të mban gjallë, arti të rinon, arti te heq stresin, arti për mua është vetë jeta.

A keni ndonjë "peng" për ndonjë rol gjatë karrierës tuaj?

Në skenë ashtu si në jetë, gjithmonë të mbetet një peng.

Vitet kalojnë dhe Drande Xhai mbetet e bukur si gjithmonë, merita e kujt është kjo?

Bukuria fizike nuk është meritë e individit, është dhuratë nga Zoti dhe nuk kam pse mburrem për këtë. Nëse jam, apo nuk jam e bukur e gjykojnë të tjerët. Për mua ka rëndësi që të vlerësohem për atë çfarë bëj dhe mendoj se këtu qëndron edhe aftësia ime. Pastaj, kur bëhen të dyja bukuria dhe aftësia është vetë mrekullia.

Çfarë mendimi keni për humorin shqiptar, atë të viteve të fundit?

Me keqardhje duhet të them se humori shqiptar është në krizë dhe vëmendja e shtetit është zero, kjo me pezmaton shumë se po humbin shumë vlera artistike.

Të kujtohet ndonjë episod i bukur që të ka ngelur në mendje edhe sot nga skeçet e realizuara ndër vite?

E kam një kujtim të bukur me skeçin e "Xhemal katundarit". Ishim në Elbasan ku sekretari i parë i Komitetit të Partisë ishte një shkodran që quhej Xhemal Demylja. Pas shfaqjes sekretari na ftoi në shtëpi për vizitë. Aty ishte dhe kunati i tij, Enver Halili edhe ky shkodran edhe ky kishte të njëjtin pozicion, por në Korçë. Në atë kohë bie telefoni i shtëpisë së shokut Xhemal. Në telefon përgjigjet shoku Enver. Telefonuesi e pyet, "me kë po flas, ky i përgjigjet, jam kunati i shokut Xhemal" dhe aty plasi një gaz që shpesh qeshim kur e kujtojmë.

Aktualisht me se po merreni?

Aktualisht po punojmë për recitalin e Zef Dedës, pas kësaj do të punojmë një komedi, dhe dhjetorin e kemi tepër të ngarkuar deri në natën e Vitit të Ri.

Si keni arritur t'i menaxhoni emocionet në skenë Drande?

Në skenë provon dy lloje emocionesh, që ne i quajmë emocione të mira e që janë të nevojshme për çdo aktor, sepse po nuk pate këto emocione në interpretim nuk mund të përcjellësh emocion tek spektatori. Kurse emocionet e dëmshme janë ato që të mbysin dhe nuk i kontrollon dot. Këto janë shumë të dëmshme për një aktor. Për fat të mirë unë kam arritur t'i mposht këto emocione dhe kam nxjerrë në pah vetëm emocionet më të mira të mundshme.

Çfarë mendon kur ke një skenar përpara syve?

Menjëherë sapo filloj të lexoj skenarin mendoj për figurën, apo personazhin që më pëlqen të luaj, përpiqem që në leximin e parë të gjej atë çka ky personazh ka të veçantë dhe që nga kontakti i parë jetoj çdo ditë me personazhin që duhet të interpretoj.

Na rendit disa pjesë të cilat edhe ti vetë kur i shikon të bëjnë për të qeshur?

Është e vërtetë që sa herë e shoh veten në role si "Ndihmat", apo "Daja i burrit", "Dhëndri nga Amerika", "Toka e Dan Dupit", "Weekend 76" e shumë të tjerë qesh me shpirt.

Besnike ndaj Shkodrës, nuk ke menduar të jetosh në Tiranë?

Jetës nuk i dihet kurrë, por me Shkodrën jam shumë e lidhur, kam gjithçka këtu, brengën e gëzimin, shoqërinë e miqësinë. Shkodra më dha emrin, në Shkodër kam marrë këtë sukses që kam. Shkodra më bëri artiste, për mua është "ma i bukri vend n'kët dhé asht Shkodra ku kam le, krenar për të unë jam, ma të bukur se atë nuk kam".

Një urim për familjen, kolegë, apo miq?

Urimi im për të gjithë është të qeshni sa më shumë që të jetoni sa më gjatë. Ky është urimi që më doli nga thellësia e shpirtit.

Game Over

Besart Kallaku: Kam lindur për të dhuruar buzëqeshje…

Posted: 28 Oct 2010 11:33 AM PDT

Më shumë se me emrin e vërtetë e njohin si Gjini i "Portokallisë". Besart Kallaku, sot është ndër aktorët më të dashur të "Portokallisë" dhe jo vetëm për stafin, i cili duket se nuk bën dot pa të, por edhe për gjithë audiencën që e ndjek këtë show. Mjaft popullor për personazhet dhe batutat që përdor, ai ka krijuar një profil interesant, për të cilin publiku e duartroket, por edhe kritika e vlerëson. Nëse keni qeshur dhe jeni argëtuar me personazhet që interpreton, ky ka qenë edhe objektivi i tij, sepse siç shprehet edhe ai vetë, "ka lindur për të dhuruar buzëqeshje, kudo dhe kujtdo". Përveç roleve të humorit Besarti ka interpretuar edhe në dy filma artistik shqiptarë, "Koha e kometës" dhe "Alive". Jo pak për një karrierë të re, siç është kjo e aktorit Kallaku.

Besi, jeni bërë i njohur nga pjesëmarrja juaj në spektaklin "Portokalli" me rolin e Gjinit dhe i shumë roleve të tjera më pas. Sa ju motivon ky fakt për të ecur më tej dhe çfarë të ka pëlqyer më shumë te roli i Gjinit?

Roli i Gjinit për mua është si të të them, si dashuria ime e parë, përsa i përket personazheve, apo karaktereve me të cilat unë jam paraqitur në skenë. Kam një dashuri të madhe për këtë personazh dhe e luaj gjithmonë me qejf. Është guri i parë i themelit për gjithçka jam unë sot, deri këtu ku jam dhe kam arritur. Më ka motivuar në mënyrë të plotë për të ecur përpara.

Sapo ka filluar sezoni i ri i "Portokallisë", na flit pak për rolin e ri në këtë sezon?

Në këtë sezon unë vij me një personazh të ri që është nga Dibra, kryesisht zona e Lurës, së bashku me aktorin tjetër të "Portokallisë" Erionin. Kemi krijuar një dyshe profesorësh që flasin secili për folklorin e tyre, si të Dibrës ashtu dhe të Devollit, ose me saktë me traditat dhe kulturën e veriut dhe jugut, që tregon se një vend i vogël sa jemi ne ndryshojnë shumë me njëra-tjetrën.

Po në jetën e përditshme si është Besi?

Jam një djalë i mirë dhe një katundar krejt i lezetshëm.

Ndodh që t'ju ndalojnë në rrugë dhe t'ju përgëzojnë për rolet tuaja?

Ka ndodhur shpesh dhe vazhdon të ndodhë, është një kënaqësi e veçantë kur dikush të vlerëson.

Veç "Portokallisë" keni ndonjë plan tjetër në objektivat tuaja?

Aktualisht jemi përfshirë nga 'vala' e "Portokallisë" dhe ajo po më merr xhirot e saj për këtë sezon dhe jam totalisht i fokusuar në këtë show. Për momentin nuk është se kam ndonjë projekt tjetër në dorë. Me kohë dhe me rrugë të shohim se çfarë do të na serviret përpara.

Po interpretimin në teatër e keni provuar, si jeni ndjerë?

Deri tani kam interpretuar vetëm një rol në teatër dhe konkretisht në Teatrin e Elbasanit. Jam ndjerë mirë, megjithëse edhe "Portokalli" është një teatër.

Pse jeni fokusuar më tepër tek zhanri i humorit?

Jam fokusur më tepër tek humori, sepse më përshtatet më shumë se zhanret e tjera. Unë mendoj se kam lindur për humor. Është njësoj sikur të pyesësh një katundar pse mbjell speca dhe domate, por ai për këtë ka lindur dhe është specializuar. Edhe unë kam lindur për të dhuruar buzëqeshje kudo dhe kujtdo, sepse është e vetmja gjë për të cilën ka nevojë njeriu me gjithë streset dhe problemet që kemi

Cili personazh ju ka dhënë më shumë batuta?

Të gjitha pa përjashtim, sepse unë interpretoj me qejf, sa herë që dal në skenë në "Portokalli", si rrjedhojë edhe personazhet i bëj me qejf. Por siç ju thashë dashuria e parë është roli i Gjinit.

Do ju vinte keq nëse një ditë do të të thoshin që nuk do jesh më pjesë e "Portokallisë"?

Unë jam rritur në "Portokalli", si profesionalisht ashtu dhe artistikisht dhe e kam provuar dhe të mos jem pjesë e saj për një sezon, por nuk i jam bashkuar asnjë spektakli tjetër që mund të ketë pasur, apo jo lidhje me "Portokallinë", kështu që nuk është se e mendoj se çdo bëja pa "Portokallinë", ashtu siç nuk e mendoj që ta lë.

Në përgjithësi aktorët ankohen për paga të ulëta, po me ju ndodh kjo gjë?

Keni dëgjuar që jam ankuar gjë unë

Zakonisht kur e shihni veten tuaj në televizion, jeni kritik?

Në fakt unë sa herë e shoh veten në tv e shoh me sy kritik, sikur ta kisha bërë ndryshe, apo sikur t'i kisha shtuar dhe këtë apo atë, jam gjithmonë në kërkim të më së mirës dhe sa më kritik të jesh aq më shumë realizon.

Je i kënaqur nga çfarë ke arritur deri tani?

Njeriu niset nga diku me qëllimin për të arritur një synim. Besoj se kam ecur dhe kam bërë hapa përpara në jetën time dhe besoj gjithashtu se kanë qenë hapa të shpejtë. Jam i kënaqur me atë që kam arritur deri tani.

Përveç aktrimit çfarë të tërheq tjetër si profesion?

Përveç aktrimit më tërheq shumë futbolli. E kam pasur ëndërr dhe jo më kot jam pjesë e ekipit të Mamurrasit edhe kështu në distancë.

Cili është roli juaj i preferuar në përgjithësi, jo vetëm i zhanrit komik?

Roli im i preferuar është roli i një fëmije të vogël në çdo film të mundshëm.

Cili ka qenë libri i fundit që ke lexuar?

Libri më i fundit që kam lexuar është "Shqipja nëna e gjuhëve" të Xhusepe Krispit, ku si nacionalist që jam dua të përmend se sa të vjetër jemi këtu në këtë vend e sa të hershme e kemi gjuhën tonë që historikisht janë munduar të na e mohojnë këtë fakt.

Ka një sekret dashurie në zemrën tënde?

Doni të dini nëse më rreh zemra për dikë? Po, më rreh. Doni të dini nëse ndjehem mirë? Po, ndjehem shumë mirë. Nuk kam çfarë të të them më shumë. Besoj se kaq mjafton, të tjerat kuptohen vetë. /vip.al/

Shumë befasi në “Miss & Mister Kosova 2010”

Posted: 28 Oct 2010 11:19 AM PDT

Janë 23 vajza dhe 23 djem që do të garojnë të shtunën në mbrëmje për të fituar titullin e më të bukurës, respektivisht të bukurit në Kosovë. Spektakli "Miss & Misster Kosova 2010" që organizohet nga Agjencia "Agnesa Vuthaj Association", do të mbahet më 30 tetor në sallën "Katana" në Obiliq.

Arben Gjinaj

Në kohën kur kanë mbetur edhe dy ditë para finales, organizatorja Agnesa Vuthaj thotë për "Zërin" se gjithçka është duke vijuar sipas parashikimeve.

Ajo premton se spektakli do të jetë madhështor dhe i paparë ndonjëherë në vendin tonë.

"Këtë vit kemi jo vetëm vajza dhe djem të bukur, por edhe shumë të edukuar dhe të talentuar. Spektakli do të jetë gjithçka i veçantë, si në skenografi, koreografi dhe në të gjitha elementet tjera. Është bërë një punë jashtëzakonisht e madhe nga një staf profesionist, që tashmë është dëshmuar për organizime cilësore", thotë Agnesa e cila nuk dëshiron të zbuloj detaje të tjera rreth mbrëmjes finale.

"Nuk mund të i tregoj të gjitha, se pastaj nuk mbetet asgjë interesante. Programi i spektaklit do të jetë i pasur, por në fokus të veçantë do të janë konkurrentet. Përveç sfilatave, do të shfaqen xhirimet gjatë provave të pjesëmarrëseve, prezantimet, fotografi, e të tjera, ndërkaq nuk do të mungoj as

pjesa artistike ku do të këtë muzikë", bëri të ditur ajo pa dashur të përmend emrat as të këngëtarëve, mysafirëve special dhe as të prezantuesve që do të udhëheqin spektaklin.

Agnesa, po ashtu tregoi se në natën finale do të bëhet edhe promovimi i Revistës "Miss & Mister Kosova 2010" ku do të prezantohen të gjithë konkurrentet e spektaklit.

Do të ndahen shumë çmime

Gjatë natës finale pritet të ndahen shumë çmime, ndërsa dy fituesit kryesorë vetëm pak ditë pas finales do të udhëtoj për të përfaqësuar Kosovën në gara botërore. Derisa Miss Kosova 2010 do të përfaqësoj Kosovën në "Miss Earth", Mister Kosova 2010 do të udhëtoj për në Indonezi për të përfaqësuar shtetin tonë në "Mister International".

Spektakli Miss & Mister Kosova 2010, ka gjetur mbështetje nga Ministria e Kulturës, Aeroporti i Prishtinës si dhe disa bashkëpunëtorë të përhershëm të cilët në vazhdimësi e kanë ndihmuar Agnesën në projektet e saja. Sipas Agnesës në spektakël do të këtë pjesëmarrës me ftesa zyrtare ndërsa pjesa tjetër do të jetë me bileta.

Duhet theksuar se Vuthaj me organizime të spektakleve në Kosovë ka filluar në vitin 2006 ku vendin e parë e pat fituar Besa Gashi, ndërsa hera e fundit ishte "Miss Kosova 2007" që fituese u shpall Yllka Berisha e cila tash e tre vjet mban kurorën e këtij spektakli. /vip.al/

Cheryl Cole: Viti im i mbrapshtë

Posted: 28 Oct 2010 07:41 AM PDT

Është një nga këngëtaret më të famshme të momentit në Britaninë e Madhe dhe shumë e ndjekur nga paparacët, jo vetëm për jetën profesionale, por edhe atë private
Është personalitet në botën e këngës dhe të spektaklit në Britaninë e Madhe dhe ish-bashkëshortja e futbollistit të kombëtares britanike, Cole, me të cilin këtë vit pati një divorc të bujshëm pas tradhtisë së tij. Për shumë kohë ka preferuar që të heshtë në lidhje me jetën e saj private, që këtë vit ka qenë e shënjuar nga shumë drama, mes të cilave edhe një sëmundje që për pak i mori jetën. Më në fund, kur gjërat kanë filluar të qetësohen dhe të kthehen në normalitet, këngëtarja bukuroshe ka vendosur që të rrëfejë.

Ajo rrëfen se si jeta e saj për një kohë të shkurtër ndryshoi nga ajo e një vajze krejt të zakonshme në atë të një ylli të vërtetë, pas suksesit shumë të madh që pati së bashku me vajzat e tjera të grupit "Girls Aloud" dhe pasi u caktua si një nga gjyqtaret e emisionit "The X factor". Por pas kësaj fame dhe suksesi të madh që e bëri një fytyrë të njohur në të gjithë botën me këngë që u shndërruan menjëherë në hite ndërkombëtare, erdhën kohë të vështira, veçanërisht viti që po përfundon. Fillimisht divorci nga futbollisti Ashley Cole, një histori që për më tepër u ekspozua shumë nëpër tabloide, në masë të tillë sa u shndërrua në makth për të gjitha palët. Pabesia e të shoqit doli në të gjitha faqet e para të gazetave të vendit. E për shumë kohë Cole nuk preferoi që të fliste. Shtypi spekuloi fillimisht se ajo ishte shndërruar në anoreksike, apo kishte pasur një shpërthim nervor nga situata e krijuar, apo se ishte duke takuar meshkuj të tjerë për hakmarrje. Për hir të së vërtetës, në Britaninë e Madhe një vëmendje të tillë mediatike e kishin pasur më parë vetëm princesha Diana dhe gruaja e Devid Bekam, Viktoria. Por tani kësaj dysheje super të ndjekur iu shtua edhe Cole, e cila çdo ditë e shihte jetën e saj të shpalosur nëpër faqet e tabloidëve dhe nëpër sajtet e ndryshme të internetit. Dhe në këtë rast thuhen të thëna e të pathëna dhe dhimbja bëhet më e madhe kur dëgjohen këto të fundit. Pas muajve të vuajtjes Cole vendosi që të divorcohej nga bashkëshorti i pabesë, por edhe kur mori një vendim të tillë nuk u hap aspak me median dhe nuk kërkoi që të prononcohej dhe të mbante anë. Gjatë gjithë kohës është përpjekur që të shfaqej e qetë, madje e qeshur dhe mbi të gjitha të mos fliste duke i lënë mediat që të hamendësonin pa fund. Vetëm disa ditë më parë vendosi të flasë për një gazetë britanike, duke thënë, ndër të tjera, se pas kësaj nuk do të fliste më kurrë në publik për jetën e saj private. Kur e pyesin se në një shkallë nga 1 deri në 10 sa i vështirë dhe i mbrapshtë ishte ky vit për të, Cole përgjigjet: "11". Në fakt divorci ishte vetëm një nga të këqijat e këtij viti. Pas tij do të vinte një tjetër shumë më i rëndësishëm dhe ndoshta fatal: malaria. Këtë sëmundje ajo e kontaktoi 3 muaj pasi kishte bërë disa pushime në Tanzani: "Ishte dita pas ditëlindjes sime kur më nisën për herë të parë simptomat e sëmundjes. Mendova se shkaku i lodhjes dhe temperaturës do të kishte qenë pija e fortë e një nate më parë gjatë festimeve të ditëlindjes. Kjo, sepse unë nuk pi kurrë me tepri e vazhdimisht dhe një pije jo e zakonshme mund të më shkaktojë probleme një ditë më pas. Por ditë pas dite e ndjeva se isha duke u përkeqësuar. Simptomat që kisha fillimisht dhe që po më shtoheshin ishin ethet, këputja trupore, tharja e grykës, buzët blu dhe mavijosja e majave të gishtave. Lëkurën e kisha vazhdimisht të qullët dhe nuk mund të merrja frymë siç duhej". Cole u diagnostikua menjëherë me malarie pas kthimit në Londër. Në atë kohë gazetat thanë se këngëtarja ishte në shtratin e vdekjes dhe se mjekët ia kishin hequr shpresën. A ishte e vërtetë një gjë e tillë? "Po dhe nëse jeni të interesuar për detaje mund t'ju them se nuk më funksiononte fare mëlçia dhe nuk kisha oksigjen në gjak. Trupi më ishte zbrazur nga lëngjet dhe nëse brenda 24 orësh kjo situatë nuk do të ndryshonte, përfundimi do të ishte fatal. Unë u ndjeva shumë keq, sepse gjithçka më kishte ardhur krejt papritur dhe në njëfarë mënyre vendosa që të pres çdo lloj rezultati". Po a kishte frikë se do të vdiste kaq e re? "Jo, sepse isha shumë e lodhur dhe e shkatërruar për të ndier frikë. Më besoni, ndershmërisht nuk ndieja asgjë. E vetmja gjë që ndieja ishte dëshira që gjithçka të merrte fund sa më shpejt".

Në ato orë të tmerrshme kërkoi që të bënte testamentin dhe i thanë që një gjë të tillë mund ta bënte vetëm nëse nuk do të kishte një përmirësim të dukshëm brenda 24 orëve të ardhshme. Gjendja e saj kritike zgjati 36 orë dhe ajo qëndroi në spital për 10 ditë. Është shumë e çuditshme se një vit më parë ajo vetë bëri një fushatë për mbledhjen e financimeve për të ndihmuar blerjen e vaksinave të malaries për të sëmurët në Afrikë. Dhe ja tani duket se kjo sëmundje e ka bërë që të besojë më shumë te kjo iniciativë, të cilën premton që ta çojë më tej. Edhe sot Cole duket ende e brishtë dhe e pashëruar plotësisht. Pavarësisht se kanë kaluar disa muaj, fytyrën e ka ende të zbehtë dhe lodhet shpejt.

Cole ndërkohë është duke u përgatitur që të publikojë albumin e saj të dytë dhe tema që përshkon të gjitha pjesët e albumit është dashuria. Më saktësisht është ndjesia që të jep fakti i të qenët i tradhtuar nga njeriu i zemrës, vuajtjet që të shkakton një e vërtetë e tillë e hidhur dhe drama që pason në një marrëdhënie nga një e vërtetë e tillë. Në këtë album flitet për historinë e saj të këtij viti dhe e vetmja gjë që e mundon është emri i ish-bashkëshortit. Ja cilat janë fjalët e njërës prej këngëve: "Unë qava kur dëgjova që më kishte tradhtuar, qava kur vendosa që të largohem, qava dhe ndjeva zemrën të më linte dhe e dija se nuk do të të shihja kurrë më në këtë jetë".

Megjithatë nuk është Cole ajo që i shkruan tekstet e këngëve të saj. Kur e pyesin për historinë personale dhe për inatin e zemëratën që ndjeu kur mori vesh tradhtinë e të shoqit, ajo thotë: "Inat? Po, kam ndier për shumë kohë, por jo më. Tashmë e kam lënë pas vetes këtë ndjenjë". Në fakt thashethemet për tradhtitë e bashkëshortit kanë nisur që dy vjet më parë në shtypin rozë britanik. Në atë kohë Cheryl deklaroi se shtypi ishte shumë dashakeqës ndaj tyre dhe se asgjë nuk ishte e vërtetë, por shpifje dhe sajesa. Po e kishte marrë vesh ajo atëherë se i shoqi në të vërtetë e kishte tradhtuar? "Po". Dhe vendosi që t'i jepte një tjetër shans? Po ku e mësoi për herë të parë të vërtetën? "Nuk e di. E kam harruar realisht dhe e kam shumë të mjegullt fillimin e kësaj historie të pakëndshme. Kam kaluar shumë peripecira që atëherë dhe nuk i jap më rëndësi. Megjithatë di të them se kam qenë e përfshirë nga një emocion shumë i madh e negativ dhe kryesisht nga një inat i madh". A ishte ndier e fyer dhe e turpëruar? "Po. Unë jam një qenie njerëzore. Kam njohje të thella dhe të shumta me njerëz të botës së spektaklit dhe kjo e vërtetë e hidhur më vuri në një pozitë shumë të vështirë para tyre. M'u duk si një shuplakë që po më jepnin të gjithë ata që nuk më kishin për zemër. Ndonjëherë më dukej vetja se isha pjesë e një telenovele, por pastaj mendoja se gjithçka ishte e vërtetë, se kjo ishte jeta ime dhe se kjo tradhti po më ndodhte mua, pikërisht mua".

Gjëja e çuditshme është se ajo adhurohet shumë në Britaninë e Madhe dhe nga njerëz që as që e njohin dhe bashkëshorti i këtij njeriu të dashur dhe të vlerësuar e ndërron atë me një të huaj si pa gjë të keq. Në atë kohë të vështirë ajo thotë se e vetmja gjë që e ngushëllonte ishte muzika. Po çfarë lloj muzike? "Muzikë meditative, por nuk mund të them gjë tjetër. Muzika që kam dëgjuar ishte si një melhem për shpirtin tim dhe më ndihmoi më shumë se çdo gjë tjetër për të harruar dhe për t'u shëruar". A mund t'i besojë ajo tani një mashkulli? "Fakti është se nuk kam pasur kohë që të mendoj për një gjë të tillë, sepse nuk kam pasur kohë që të mendoj për gjë tjetër veç shëndetit dhe punës këta muaj të gjatë e të vështirë. Dhe realisht nuk di t'ju them se në çfarë situate jam".

Vetë Cole e ka urryer gjithmonë faktin e të trajtuarit si një bashkëshorte futbollisti nga ato mendjelehtat që martohen vetëm për para dhe për të bërë një jetë të lehtë. Që në fillim ajo e bëri të qartë se ishte shumë e përqendruar në karrierën e vet dhe se bashkëshortin, një futbollist i famshëm, e kishte marrë për faktin e vetëm se e dashuronte.

Pas këtij viti shumë të vështirë, ajo tashmë e ka marrë veten, të paktën shpirtërisht, dhe shpreson se gjërat do të shkojnë gjithsesi më mirë.(Shqip)

Familja, sa e rëndësishme është ndarja e detyrave në çift?

Posted: 28 Oct 2010 07:36 AM PDT

Nëse "detyrat" e shtëpisë ndahen mes burrit dhe gruas, mundësitë për divorc janë shumë të vogla. E rëndësishme është që secili nga partnerët duhet ta ndiejë se kontributi në një familje është i dyanshëm
Ekspertët kanë treguar se ndarja e detyrave në shtëpi dhe problemet që lidhen me kujdesin për fëmijët janë ndër shkaqet kryesore të zënkave të shpeshta, madje edhe divorceve në familje. Ata mendojnë se pikërisht detyrat e ndara si duhet në familje mund të jenë baza e një marrëdhënieje të shëndetshme. Nga sondazhet e bëra del se meshkujt e pranojnë se shkaqet për të cilat zihen më shpesh me partneret e tyre janë ato të kujdesit për shtëpinë, si për shembull larja e enëve, tualetit, apo kujdesit për fëmijët. Po sipas të dhënave që dalin prej tyre, del se meshkujt ndër punët e shtëpisë preferojnë të lajnë enët, të hekurosin, të marrin pluhurat, të gatuajnë dhe në fund fare të pastrojnë tualetin apo të lajnë dyshemenë.

Kush e ka thënë se ekziston një lidhje e fortë mes punëve të shtëpisë dhe marrëdhënieve seksuale të një çifti? Lidhjen e çuditshme mes punëve të shtëpisë dhe seksit në çift e ka verifikuar një studim i publikuar në numrin e fundit të "Journal of Family Issues". Sipas studimit, jeta e çiftit ndikohet edhe nga pastërtia në shtëpi. Nëse punët e shtëpisë ndahen mes burrit dhe gruas, mundësitë për divorc janë shumë të vogla. Por si shpjegohet fakti se edhe në këtë kohë, ku ka më shumë barazi, shpesh krijohen përplasje në çift për ndarjen e punëve të shtëpisë? Një mashkull që jeton vetëm në një apartament nuk tregon ndonjë kujdes të veçantë për vendin ku jeton. Ai mund t'i ndërrojë shumë rrallë çarçafët dhe ta pastrojë shtëpinë shumë rrallë. Kjo nuk është një çudi, sepse meshkujve thjesht nuk u intereson rregulli dhe pastërtia në banesë. Kjo gjë ndodh gjithmonë kur jetojnë vetëm dhe nuk kanë ndihmën e ndonjë të afërmi apo pastrueseje. Autorët e studimit thonë se larja e dyshemeve, sistemimi i shtëpisë, larja e pjatave, e rrobave, nuk kanë ndikim të madh në marrëdhënien në çift. Të paktën kjo është konfirmuar nga sondazhi i bërë te 6877 çifte të martuara. Domethënia e studimit është kjo: sa më shumë energji të shpenzohen në një fushë të jetës, aq më shumë energji fitohen për aktivitetet e tjera, duke përfshirë këtu edhe atë seksuale. Gjithashtu, studimi ka gjetur një lidhje mes orëve të kaluara në një punë me pagesë të lartë dhe frekuencës së seksit te një çift. "Në vend që të rrezikojnë jetën seksuale, për shkak të kërkesave në punë ose në shtëpi, grupi i çifteve të marrë në studim duket se përparësi i ka dhënë marrëdhënies seksuale", ka shpjeguar Constance Gager, sociologe dhe autore e studimit, që më pas është publikuar në "Wall Street Journal". Gager dhe kolegët e saj kanë mbetur pa fjalë nga rezultatet e studimit. Ata prisnin që të ishin meshkujt më të bekuar se sa femrat në raportin seks-punë shtëpie, për shkak "të efektit të falënderimit" nga ana e partnereve, të cilat janë më të angazhuara në punët e shtëpisë. Studiuesit zbuluan se efekti aplikohej në masë të barabartë për të dyja gjinitë. "Mund të duket një detaj i parëndësishëm, por bën diferencën: në një çift ku gruaja kalon 68 orë duke u marrë me punët e shtëpisë, ndërsa burri 45 orë, do të bëjë 15 herë më shumë dashuri në një vit në krahasim me një çift tjetër ku totali i orëve të kaluara me punët e shtëpisë është 18 orë". Studimi ka tërhequr vëmendjen e sociologëve. Është e çuditshme se si punët e shtëpisë ndikojnë në marrëdhënien në çift: një sondazh i fundit i "Pew Research Center" ka zbuluar se amerikanët i vendosin punët e shtëpisë në vendin e tretë mes faktorëve të rëndësishëm të jetës në çift, pas besnikërisë dhe intimitetit seksual.

Rastet e divorcit, për shkak të moskontributit të mashkullit në punët e shtëpisë, sa vijnë e po shtohen. Duke qenë se sot, një pjesë e madhe e çifteve bëjnë dy punë dhe lodhen shumë, lind nevoja e ndarjes së punëve brenda shtëpisë. Duke qenë se tradicionalisht gruaja është kujdesur për shtëpinë, lindin probleme për ndarjen e punëve, të cilat mund ta çojnë çiftin deri në prishjen e martesës. Kjo do të thotë se tashmë ndarja e punëve dhe pasojat e mosbërjes së saj mes burrit dhe gruas janë një sinjal alarmi për të gjitha çiftet që duan të jetojnë gjatë bashkë. Fatmirësisht, gjatë viteve të fundit situata ka ndryshuar: një pjesë e meshkujve kanë filluar të jenë më aktivë, duke dhënë kontributin e tyre brenda shtëpisë. Sipas një studimi britanik, divorcet janë më të pakta në rastet kur çifti ka arritur që të ndajë punët brenda shtëpisë. Në Shtetet e Bashkuara, nevoja dhe kërkesa për barazi në këtë aspekt mes burrit dhe gruas është shndërruar në një lëvizje të mirëfilltë dhe të organizuar. Kësaj çështjeje i janë dedikuar shumë libra të shndërruar në bestseller, shumë biseda e debate televizive, artikuj gazetash apo revistash. Në fakt, problemi është pak i ndërlikuar: nuk bëhet fjalë për një zakon të thjeshtë që në zanafillë. Ky lloj debati për ndarjen e punëve të shtëpisë ka zgjatur për shekuj me radhë. Një pikë tjetër kritike, e cila mund të rrezikojë marrëdhënien në çift, është mënyra e ndryshme që kanë meshkujt dhe femrat për sa i përket stilit se si bëhen punët. Të gjithë kemi këndvështrime të ndryshme për sa i përket rregullit dhe pastërtisë. Sipas shumë specialistëve, kjo është diçka që mund të ndryshojë, duke qenë se shumë gjëra edukohen me hir ose me pahir. E rëndësishme është që secili nga partnerët duhet ta ndiejë se kontributi është i dyanshëm në një familje, kjo edhe për sa u përket punëve të shtëpisë, sepse prishja e vazhdueshme e ekuilibrave sjell ndërprerjen e vetë marrëdhënies, herët ose vonë.(Shqip)

Manny Pacquiao, kur boksi dhe politika bashkëjetojnë

Posted: 28 Oct 2010 07:22 AM PDT

I lindur në një zonë të varfër të Filipineve kishe dy ëndrra: të bëhej boksier dhe të hynte në politikë për të ndihmuar njerëzit. I ka realizuar të dyja
Pacquiao është ndoshta boksieri më i fortë në botë dhe prej disa muajsh anëtar i Parlamentit filipinas. Atë mbrëmje sapo ishte kthyer nga Amerika ku kishte zhvilluar një ndeshje të rëndësishme boksi. Pacquiao është sponsori kryesor financiar i festës së fondacionit "Alabel", me qendër në Sarangani, provincë në Filipinet jugore dhe vendi që ai përfaqëson në Parlament. Në ishullin e Mindanos, të varfëruar dhe të shtypur nga dhuna, dinastitë e tipit feudal dominojnë më shumë se në zonat e tjera të vendit. Por, falë pasurisë së tij, Pacquiao, që ka lindur në një nga lagjet më të varfra të kësaj zone, pak i shkolluar dhe flet anglisht me shumë vështirësi, ka arritur të sfidojë Roy Chingbian, një anëtar i klanit që ka themeluar Sarananin dhe anëtar i Parlamentit prej 30 vjetësh. Pacquiao u betua si deputet në datën 28 qershor. "Zgjedhësit votuan për të dhe ne duhet ta pranojmë", thotë Steve Solone, 39 vjeç, zëvendësguvernator dhe nip i politikanit që u mund nga Pacquiao. Disa ditë më përpara, Pacquiao mori pjesë në një sesion parlamentar në Manila. Që nga dita e zgjedhjes ka kryer disa diskutime, ku më i rëndësishmi ishte ai për tregtinë e qenieve njerëzore. Ai është bërë një figurë e rëndësishme në komisionin për realizimin e zhvillimit të mijëvjeçarit të Kombeve të Bashkuara, të drejtuara nga Imelda Markos, ish-zonja e parë dhe anëtare e Parlamentit. Boksi dhe politika ishin ëndrrat e tij që fëmijë. "Dua të ndihmoj njerëzit, sidomos në provincën time. Ka njerëz shumë të varfër. Do më pëlqente të kujtohesha jo vetëm për eksperiencat e mia në ring, por edhe për faktin se i kam shërbyer popullit tim". Pacquiao është një nga sportistët më të pasur në botë. Sipas revistës "Forbes", ka fituar 40 milionë dollarë në vitin 2009 dhe u flet me ti yjeve të Hollivudit. Por, në Filipine, angazhimi i tij në favor të të pasurve ka marrë hov falë historisë së tij personale. Ai është rritur në qytetin e General Santos, në një lagje që ende sot është një labirint rrugësh të ngushta dhe shtëpish të shkatërruara, pavarësisht dy pallateve të blera nga Pacquiao për të ëmën dhe vëllain. Boksi në këtë vend është shumë i përhapur. Pacquiao, ashtu si shumë të tjerë, ka kërkuar te boksi një rrugëdalje nga getoja. Në moshën 14-vjeçare u largua nga shtëpia dhe u vendos në Manila, ku disa vite më vonë u bë profesionist shumë i zoti.

Para me thasë
Pak para nisjes së seancës në Parlament, Pacquiao duket i qetë teksa bën shaka dhe qesh me kolegët. "Mund të bëhet senator", më tregon Antonio Tinio, 40-vjeçar i zgjedhur në Parlament prej pak kohësh. Tinio shpjegon se me një kandidat që ka kaq shumë popullaritet sa Pacquiao nuk është e thjeshtë të zgjidhesh në senat. Për t'u bërë president apo guvernator i ndonjë province është e nevojshme të ndërtosh një makinë elektorale që mund të bëhet vetëm me kalimin e kohës. Por Pacquiao ka treguar se di të mësojë shumë shpejt. Ai kandidoi për herë të parë në vitin 2007, i bindur se popullariteti i tij do ta ndihmonte të zgjidhej përfaqësues i zonës së General Santos-it. "Kësaj here e nisa punën dy vjet përpara zgjedhjeve", tregon deputeti boksier. Pasi vendosi që të kandidonte në Sarangani, provinca e origjinës së gruas së tij, Pacquiao krijoi lidhje me krerët e këtyre zonave duke hedhur shumë para në qarkullim. Reynaldo Costandino, 51 vjeç, kryetar i një prej shtatë komunave që përfshin Saranganin, ka shpjeguar se që prej vitit 2007 ka marrë plot 1.6 milionë dollarë nga Pacquiao për t'i investuar në projekte të ndryshme në distriktin e tij. Sa herë që ka pasur nevojë për "Ndërtimin e imazhit të tij", kryetari i është drejtuar Pacquiaos. "Në Filipine paratë janë faktori kryesor për të fituar zgjedhjet", tregon Costantino. "Edhe pse është shumë popullor, pa para nuk do të kishte fituar". Ashtu si shumë qytetarë që e kanë votuar, Costantino shpreson që Pacquiao do ta përdorë pasurinë e tij personale për të kontribuar në zhvillimin e Saranganit, një provincë që jeton me bujqësi dhe peshkim. Ai tregon se po punon shumë për të tërhequr investitorë në zonën e Saranganit dhe se është i angazhuar për të ndërtuar një spital të ri dhe për të hartuar projekte që mund të përmirësojnë jetën e njerëzve: "Do përpiqem sa të mundem t'i ndihmoj", tregon. Përveç një mijë e një angazhimeve që lidhen me sportin, boksieri i famshëm tregon se Manila po merret me projektin e kombeve të Bashkuara dhe ndërtimin e Saranganit. Ai shton se kurrë nuk ka mbajtur një qindarkë nga fondi prej 1.6 milionë dollarësh që secili deputet merr çdo vit për zonën që përfaqëson, ndryshe nga shumë kolegë të tij. "Nuk kam nevojë për ato para. Shpesh shtoj të tjera nga vetja për t'i bërë gjërat ashtu si duhet", përfundon boksieri 32-vjeçar.(Shqip)

Oferta e PS për krizën, Berisha: Të zbatojmë vendimet e gjykatave

Posted: 28 Oct 2010 07:07 AM PDT

Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar nga salla e Kuvendit se oferta e opozites per ngritjen e komisionit hetimor per zgjedhjet, si kusht per nisjen e reformes zgjedhore po shqyrtohet me seriozitet.
“Në kërkesën e tij Rama shkruan se komisioni duhet të hetojë në një kohë të pakufizuar dhe unë e mbështes, ndaj le t’ia kërkojmë gjykatave. Jam gati të numërohet cdo votë, të ndryshohet cdo rezultat, me të vetmin kusht që të zbatojmë vendimet e gjykatave”, tha Berisha.

Nje dite me pare, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike Astrit Patozi, ka njoftuar të premten si ditën e mbajtjes së tryezës së dytë për reformën zgjedhore. Me anë të një letre bërë publike, Patozi ka bërë me dijë se tryeza e partive parlamentare dhe Shoqërisë Civile do të mbahet në orën 11:00 në ambjentet e Kryesisë së Kuvendit.

“Partia Demokratike ka ngarkuar zotin Ilir Rusmali, që të përfaqësojë interesat e saj në nivel politik, si dhe ekspertët e nevojshëm”- shkruan Patozi në letër.

Kjo është tryeza e dytë për Reformën zgjedhore pas asaj të mbajtur të premten e kaluar në të cilën mori pjesë dhe kreu I opozitës di Rama, ndërsa mbledhja drejtohej nga kryeministri Berisha.

Në këtë mbledhje Rama i dorëzoi Berishës, propozimet e opozitës në drejtim të Reformës Zgjedhore.

Ne nje prononcim per mediat, Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth ka theksuar domosdoshmërinë e reformës zgjedhore, duke bërë thirrje që të mos humbet më kohë për Kodin e ri.

Sipas tij, reforma duhet bërë për të arritur standardet në zgjedhje, por ajo duhet të jetë e konsultuar gjerësisht nga palët.

Ai ka vlerësuar tryezën e së premtes, duke e quajtur atë një fillim të mbarë për të kryer ndryshimet në Kodin zgjedhor.

Sipas kreut të OSBE-së, partitë politike duhet të shohin interesin kombëtar. “Për këtë reformë duhet konsultim i plotë”- tha ai.(Shekulli)

Tension në gjyqin e Dajtit, nuk vijnë oficerët e operacionit

Posted: 28 Oct 2010 06:27 AM PDT

Mungesa e dëshmitarëve, shkaktoi reagimin e të akuzuarit, që tha se ata nuk janë më pjesë e strukturës operacionale

TIRANË- Ish-drejtori i policisë gjyqësore në Prokurorinë e Përgjithshme, Sokol Koçiu, i dënuar së bashku me të pandehurit e dosjes “Kokaina” i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, duke i kërkuar legjitimimin e tij si mbrojtës ligjor në procesin gjyqësor ndaj të pandehurit Dritan Dajti.

Lajmi konfirmohet nga avokatja Ledia Rama, e cila i është kërkuar Gjykatës për Krime të Rënda të pezullojë procesin gjyqësor ndaj Dajtit deri në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që do të shprehet në lidhje me rastin “Koçiu”.

Togat e zeza nuk pranuan kërkesën dhe vazhduan me seancën e djeshme gjyqësore, duke ftuar dëshmitarët e parë të akuzës të “rrëfejnë” për ngjarjen e 7 gushtit 2009, ku u vranë katër efektivë të policisë dhe një person tjetër. Ftuesi gjyqësor njoftoi trupin gjykues se asnjë nga dëshmitarët nuk ishte paraqitur.

Për mos paraqitjen e tyre, prokurori i çështjes i kujtoi gjykatës, se dëshmitarët e thirrur në seancën e kaluar ishin të pranishëm ndërsa në këtë seancë ata nuk ishin të pranishëm, për shkak të çështjeve operacionale të zyrës së tyre. Ky pretendim, irritoi të pandehurin Dajti, që akuzoi efektivët e policisë se nuk po tregonin të vërtetën e mos paraqitjes.

“Ata nuk vijnë dhe gënjejnë kot. Nuk janë më pjesë e grupit të operacioneve speciale. Ata janë lënë policë të thjeshtë tashmë. Arjan Muça për shembll nuk është më drejtuesi i atij seksioni të forcave speciale.

Ai ndodhet në zyrë duke pirë kafe dhe nuk vjen këtu”,-tha Dajti, duke i kërkuar gjykatës që të marrë masa që të paraqiten ata. Gjykata pasi konstatoi mos paraqitjen e tyre vendosi të shtyjë seancën gjyqësore për javën tjetër, po të premten në ora 9:00.

Ndërkaq, pak minuta para se të fillojë gjyqi, avokati Arben Qeleshi debatoi me drejtuesin e policisë së burgjeve, të cilët kanë për detyrë kontrollin fizik dhe ruajtjen e qetësisë gjatë mbarëvajtjes së seancës gjyqësore.

vokati Qeleshi së bashku me avokaten e Dajtit kërkuan të fusnin në sallë, një projektor disa foto të mëdha të printuara të vendit të ngjarjes. Pas këmbënguljes së avokatit vetëm fotot u lejuan të futen brenda nga efektivët e policisë.(Shekulli)

Kontrabanda 900 mijë euro, 3 në pranga

Posted: 28 Oct 2010 06:17 AM PDT

Operacioni “Prespa II”, i antikrimit ekonomik, ndalon dy persona të dyshuar si bashkëpunëtorë të të arrestuarit të pak ditëve më parë

Shpallet sërish në kërkim pronari i mallit, ndërsa në Korçë u ndalua një tjetër person i dyshuar si i përfshirë në këtë linjë

Pak ditë pas arrestimit të Vangjo Niçkës, drejtues i një furgoni që transportonte veshje kontrabandë me vlerë 600 mijë euro, prangosen edhe dy persona, ndërsa pronari i mallit arrin të shpëtojë për të dytën herë.

Niko Stojani, i dyshuar si pronar i mallit, u shpall në kërkim, ndërsa policia e Korçës, në kuadër të të njëjtit hetim arrestoi edhe një person tjetër të dyshuar si të përfshirë në këtë linjë kontrabande. Nëpërmjet operacionit ” Prespa II” të organizuar, u arrestuan Artur Malushi, 43 vjeç dhe Festim Bala, 23, të dy banues në Tiranë, të dyshuar si të përfshirë në kontrabandë mallrash.

Ndërkaq në Korçë u arrestua Mërgim Cerolli, i cili sipas hetimit, dyshohet të jetë bashkëpunëtor i të arrestuarve dhe i të kërkuarit Niko Stojani. Dy të arrestuarve Malushi dhe Bala, policia iu sekuestroi një sasi malli kryesisht veshje dhe tekstile, vlera e të cilit arrin në rreth 300 mijë euro.

Veshjet dhe produktet e bllokuara transportoheshin me një furgon me xhama të zinj të markës “Mercedez- Benz”, me targa të Ersekës ER 078A., që drejtohej nga, Artur Malushi. Arrestimi i Malushit dhe Balës u krye dje në mëngjes, pranë shkollës” 1 Maji” në lagjen “Ali Demi”.

Të dy ata dyshohet se se së bashku me njëri- tjetrin, por edhe me Vangjo Niçkën, kanë kryer “kontrabandë mallrash” si dhe ” tregtim e transportim mallrash kontrabandë” . Nga hetimet e kryera është zbuluar se mallrat kalonin kondrabandë nga Maqedonia dhe Greqia, më pas në qytetin e Korçës me destinacion magazinimin e tyre, në tregun e Medresesë, në rrugën ” 5 Maji” në Tiranë.

Ndërkaq, gjatë arrestimit të Mërgim Cerollit në Korçë, u gjetën dhe sekuestruan mallrave të tjera të magazinuara në qytetin e Korçës. Burime të hetimit thanë se pronari i mallit, Stojani, kryente transportimin e mallit nga qyteti i Korçës në drejtim të tregut të Medresesë me furgona të rastësishëm që transportojnë njerëz për në Tiranë. Pasi furgoni me mallra kontrabandë vinte në Tiranë, atë e merrtë në dorëzim Festim Bala, e më pas mallrat dërgoheshin për te tregu i Medresesë, ku dhe iu shpërndaheshin tregtarëve.

Vlera totale e mallit e bllokuar në të dy operacionet e antikrimit ekonomik të policisë së kryeqytetit, kap shifrën e rreth 900 mijë eurove, ndërsa origjina e mallit ishte Bullgaria. Në cilësinë e provës materiale u bllokuan një sasi e konsiderueshme mallrash kondrabandë, mallra të cilat kapin vlerën 300 mijë euro, xhupa për të rritur 568 copë si dhe automjeti me targa ER 078A.(Shekulli)
Të arrestuar
Artur Malushi, 43 vjeç, banues në Tiranë
Festim Bala, 23 vjeç, banues në Tiranë
I kërkuar
Niko Stojani, banues në Tiranë

Mësuesit, provim para se të nisin punën

Posted: 28 Oct 2010 05:49 AM PDT

Qeveria përfshin mësuesit në kategorinë e “Profesioneve të rregulluara”. Licencë para se të japin mësim

TIRANË- Asnjë mësues i ri nuk do të ketë mundësi që të punojë pa u certifikuar më parë nga një komision special i krijuar nga qeveria. Këshilli i Ministrave ka ndryshuar dje ligjin “Për profesionet e rregulluara” duke detyruar mësuesit që të drejtën për ushtrimin e profesionit ta përfitojnë pasi t’i jenë nënshtruar provimit shtetëror.

Tashmë, pasi kanë përfunduar studimet për mësuesi, studentët duhet t’i nënshtrohen edhe një provimi shtetëror për matjen e aftësive dhe më pas mund të fillojnë të ushtrojnë profesionin. Në listën e profesioneve të rregulluara përfshiheshin, ai i mjekut, infermierit, stomatologut, farmacistit, fizioterapistit, arkitektit, inxhinierit, etj.

Me ndryshimet e propozuara dje, qeveria ka përfshirë edhe profesionin e mësuesit në listë. Testimi i aftësive të studentëve të këtyre degëve para se të fillojnë ushtrimin e profesionit, do të bëhet nga një Komision i Posaçëm, i cili do të jetë i ndryshëm në varësi të sektorit për të cilin aplikanti do të futet në provim.

Sipas ligjit, komisioni për testimin e aftësive të studentëve që sapo kanë përfunduar studimet do të përbëhet nga pesë anëtarë. Një përfaqësues do të jetë nga Ministria e Arsimit, njëri nga ministria e linjës, një përfaqësues nga Urdhri, të cilit i përket i testuari si dhe dy përfaqësues nga personeli akademik i universiteteve.

Për shembull, nëse studenti është diplomuar në mjekësi, krahas përfaqësuesit nga stafi akademik dhe Ministria e Arsimit, të pranishëm në komision do të jetë edhe një i dërguar nga Ministria e Shëndetësisë dhe një përfaqësuesi i Urdhrit të Mjekut. Detyrimin për t’iu nënshtruar testimit të aftësive e kanë të gjithë ata studentë që sapo janë diplomuar dhe kërkojnë të ushtrojnë profesionin.

Ndërkohë, nuk preken nga ndryshimet në ligj ata që janë të punësuar në momentin e hyrjes në fuqi të ligjit si dhe ata që kanë qenë më parë në marrëdhënie pune. Ligji ka hyrë në fuqi në nëntor të vitit të shkuar, ndërsa përfshirja e mësuesisë në listën e profesioneve të rregulluara është një ndryshim i propozuar dje nga qeveria.

Nëse e përfundon me sukses testimin, studentit i jepet titulli profesional përkatës. Më tej, ligji parashikon plotësimin e disa kushteve të tjera, krahas provimit për të përfituar të drejtën e ushtrimit të profesionit. Një ndër kushtet është kryerja e praktikës profesionale nën udhëheqjen e një profesionisti.

Po ashtu, studenti duhet të anëtarësohet në urdhrat profesionalë. Gjatë kryerjes së praktikës profesionale, studenti paguhet me një pagë jo më të vogël se gjysma e pagës bazë për atë pozicion, ndërsa përjashtohen nga detyrimi për bërjen e praktikës ata që kanë qenë të angazhuar në punë brenda ose jashtë vendit.(Shekulli)