Kosove

Shqiperia

Rajon dhe Bote

Albania Site Portal

Albania Site Portal


Iraku, anët e panjohura të një pushtimi

Posted: 27 Oct 2010 02:51 PM PDT

Shtetet e Bashkuara pasuan goditjen e parë në pranverë të vitit 2004, në një moment kur ishin ende zyrtarisht një fuqi pushtuese. Dy fjalë të vetme simbolizuan përmasat e jashtëzakonshme të dëmit të madh që iu shkaktuan: Abu Ghraib. Mënyra se si ushtarët, që kishin marshuar në vend me statusin e çlirimtarëve, ishin sjellë ndaj qenieve njerëzore dhe të drejtave të njeriut në atë burgun famëkeq të Irakut, i bëri imazhit të Shteteve të Bashkuara një dëm të pariparueshëm. Jo për sa u përket viktimave, kursit që do të merrte lufta, marrëdhënies së Perëndimit me botën islame dhe mistikës amerikane si superfuqi.

Shtetet e Bashkuara, ndryshe nga regjimet e Lindjes së Mesme, e gjetën forcën e tyre për të hetuar mbi këtë skandal. Por a ia vlejti një gjë e tillë? A i solli kjo luftë Irakut të drejtat e njeriut? Po, por vetëm në sipërfaqe. Sot irakianët kanë të drejtën e një vote të lirë. Sipas ligjit, ata gjithashtu gëzojnë lirinë e mendimit dhe lirinë e medias. Por ajo çka ka ndodhur është e tmerrshme. Njerëzit me siguri që do të jenë kuriozë që të lexojnë kapitujt në të cilët flitet për Abu Ghraib në kujtimet e Bushit, Çenit dhe Ramsfeldit, për të zbuluar se me çfarë fjalësh ata do t'u drejtohen vejushave, të gjymtuarve dhe të dëmtuarve nga ana psikologjike.

Kishte edhe një arsye të katërt për fillimin e luftës, një arsye që kishte shumë kuptim për disa gjatë ditëve të turbullta para nisjes së sulmit në Irak, madje edhe për ata që nuk donin që të bënin aleancë me Bushin për këtë ndërmarrje të madhe ushtarake. Plani për të krijuar një shembull për demokracinë në Lindjen e Mesme përmes Irakut nuk ishte vetëm një ide që përmbante parimet amerikane, por edhe ato japoneze, gjermane, të pas Luftës së Dytë Botërore. E kush mund të kundërshtonte të drejtat e Irakut për demokraci dhe liri?

Argumenti i demokracisë përmbante një element ndershmërie që shkonte përtej pretendimeve të ndryshme të agjencive të shërbimeve sekrete. Po a e justifikonte lufta këtë argument?

Irani, i fituari i vërtetë i luftës në Irak
Sigurisht që është një përfundim pozitiv i sulmit vota e lirë e irakianëve që nga viti 2003. Pas zgjedhjeve të fundit në mars të këtij viti, kandidatët për 7 muaj me radhë nuk gjetën dot një emërues të përbashkët për të formuar qeverinë. Gatë tri javën të fundit u bë e dukshme që Presidenti në detyrë, Nouri al-Maliki, do të vazhdonte të qëndronte në atë detyrë për një mandat tjetër.

Por shumë irakianë janë shumë të pakënaqur në lidhje me mënyrën se si u zgjodh Maliki, si dhe pasojat që ka zgjedhja e tij. Është një paralajmërim për të ardhmen e Irakut. Zgjedhja e Malikit bie në kontradiktë me rezultatet e zgjedhjeve. Ai u mund me një pikavarazh shumë të vogël dhe në këtë mënyrë çimentoi dominancën e njërit grup sektar ndaj tjetrit. Palët në luftën sekrete e kaluan të gjithë verën në një kërkim të dëshpëruar të kompromisit. Më pas, në fillim të shtatorit, ndërhyri Irani. Teherani kërkon që ta shohë një autokrat shiit si Maliki që të ketë pushtetin në Bagdad dhe nuk do të donte kurrë që rivali i tij shekullor, Allaui, të ishte në vend të tij. Vetëm disa ditë pas tërheqjes së trupave të fundit ushtarake amerikane nga vendi, në fund të muajit gusht, një ajatollah në qytetin e shenjtë iranian në Qom bëri për vete një nga armiqtë e Malikit, liderin shiit Muqtada al-Sadr. Deri në atë moment, rezistenca e tij ishe pengesa kryesore në rrugën e zgjedhjes së Malikit në krye të Irakut. Por miqtë e tij më në fund kishin mundur që ta bindnin al-Sadr. Dhe për të qenë edhe më në rregull dhe të plotësuar, një tjetër lider shiit ishte bërë për vete, libanezi Hassan Nazrallah, kreu i grupit radikal islamist, Hezbollah.

Së bashku me kurdët, Maliki ishte i aftë që të formonte qeverinë e tij. Kjo i la sunitët, pjesa më e madhe e të cilëve kishin votuar për një kandidat shekullor, pa mbështetje. Maliki, i cili tashmë kishte shfaqur mjaftueshëm tipare autoritare në mandatin e tij të parë, ka nisur që të operojë me të njëjtat metoda autokratike, duke vënë madje portretin e tij me përmasa të mëdha në fasadat e godinave kryesore të vendit. Tashmë rruga e tij është e qartë dhe e qetë. Ai ka mbështetjen e Iranit, i cili pjesërisht për shkak se amerikanët i hoqën qafe armikun e vjetër Sadam, është në fakt i fituari i vërtetë i luftës së Irakut.

Një vend tepër i dobët për demokraci
Kanalet televizive arabe u kanë kushtuar një vëmendje shumë të madhe tentativave për vendosjen e pushtetit në Irak. Zgjedhjet e fundit u shoqëruan edhe me akte të dhunshme, jo si ato të zgjedhjeve të vitit 2005 dhe konfirmuan, edhe njëherë, realitetet fetare në Irak dhe ndikimin që kanë fqinjët e fuqishëm në fatet e këtij vendi. Iraku, në fund të fundit, nuk është një shembull që vendet e tjera të rajonit duan që ta ndjekin.

Vendi i shkatërruar nga lufta është shumë i dobët për një demokraci. Ndoshta do të forcohej nëse Shtetet e Bashkuara do të ndërhynin sërish dhe këtë herë jo siç bënë në vitin 2003 me ushtri dhe armë, por përmes ekspertizës dhe ndihmës konkrete, ekspertizë që e solli në fillim, por që më pas ata u dhanë aq shumë pas luftës, sa harruan se ishin aty për paqen. Por kjo është një detyrë dhe një mision që ata nuk mund ta kryejnë më as në Irak, as në Kinë dhe as në Burma. Kur Barak Obama, një demokrat dhe nxitës i të drejtave të njeriut, flet për demokracinë dhe të drejtat e njeriut sot, duket se askush nuk ia vë veshin më. Dhe kjo situatë, jo për faj të tij, por për faj të luftës.
Lufta e Irakut erdhi në një kohë të gabuar dhe për arsyet e gabuara dhe pasojat e saj janë katastrofike. Pjesa më e madhe e asaj që ka ndodhur mund të ishte parashikuar dhe parandaluar.
Rruga nga Bagdadi drejt Abu Ghraib kalon nëpër një sërë muresh të cilat janë pikturuar me ngjyra patriotike. Janë muret e magazinave të mëdha të çimentos, të dyqaneve dhe godinave të tjera. Aty afër ndodhet edhe një hipodrom, në afërsi të lagjes "Amiria", një lagje sunite, që ishte ndër të fundit lagje që iu dorëzua amerikanëve.

Në këtë hipodrom zhvillohen gara me kuaj dy herë në javë. Në fakt, kjo është një shenjë progresi dhe ndryshimi, pasi tani irakianët nuk do t'i përdorin më kuajt për luftë, por për hipizëm, gara dhe kohë të lirë. Rruga drejt këtij hipodromi është e shtruar dhe e rrethuar me pemë, që janë mbjellë rishtas. Por vetëm pak larg këtij oazi të vogël shtrihet rruga dhe peizazhi i shkretë, një peizazh në të cilin mund të humbasësh lehtësisht dhe çka është më e keqja, mund të përballesh edhe me të papritura të pakëndshme. Në një zonë të tillë thonë se nuk është mirë që të të shohin në shoqërinë e një të huaji. Ka nga ana që thonë se gjërat po përkeqësohen dita-ditës, për shkak të bombave magnetike që u vendosen makinave dhe vrasjeve me armë me silenciator. Shkak i kësaj situate ishte mungesa e stabilitetit të qeverisjes dhe pritja e gjatë për formimin e saj. Megjithatë, banorët mendojnë se ndoshta, ku i dihet, gjërat marrin për mirë. Në një vend të shkatërruar, gjithçka është e mundur. "Të huajt ikin kur mbarojnë punë, por ne na duhet të përballemi këtu përditë me fatin tonë", thotë një irakian, i cili nuk e ka humbur ende shpresën për ditë më të mira edhe në vendin e tij.(Shqip)

Moda Online

Posted: 27 Oct 2010 02:46 PM PDT

Blerjet online, sfidë deri në sajtin e fundit
Miliona njerëz në të gjithë botën e dinë tashmë se për të blerë veshje dhe aksesorë nuk është e nevojshme të dalësh dyqan më dyqan. Mjafton një klikim në pushimin e drekës, apo një "prekje" në IPad. Ja përse firmat më të mëdha kujdesen gjithmonë e më shumë për butikët e tyre virtualë…

Tetë milionë vizitorë në muaj. 717 mijë porosi të kryera. Një blerje për çdo 22 sekonda. Janë këto të dhënat që kanë dalë për blerjet online në gjashtë muajt e parë të 2010-s nga grupi Yoox, perandoria që kontrollon yoox.com dhe thecorner.com, ku përfshihen më shumë se 23 faqe interneti të stilistëve të famshëm ndërkombëtarë. Një faturë globale prej 152 milionë eurosh (në 31 dhjetor të vitit 2009) dhe më shumë se dy milionë pako që dërgohen në vit. Federico Marchetti, një dyzetvjeçar administrator i deleguar i Yoox, di gjithçka për klientët e tij: sa kohë u duhet për të zgjedhur, sa shpenzojnë dhe për çfarë.

Nga të dhënat zbulojmë se pasioni i përbashkët i njerëzve në të gjithë globin janë këpucët. Ato dhjetë centimetra apo më të larta preferohen nga italianet, që ndiqen hap pas hapi nga spanjollet. Në vend të fundit renditen indianet dhe argjentinaset për preferencat e tyre për këpucët me pak takë, apo të ulëta fare. Këto produkte blihen më shumë online, pavarësisht rrezikut për numrin dhe cilësinë. Po ashtu tregohet se italianët shfrytëzojnë me shumë dëshirë pushimin për kafe për të bërë një blerje online dhe se 30 për qind e tyre blen gjatë orarit që gjenden në zyrë: nga 13:00 në 14:30. Edhe francezët, dhe në përgjithësi europianët, preferojnë blerjet në orarin e kafesë, ndërsa 98 për qind e japonezëve navigojnë dhe blejnë në internet vetëm natën. Më të zotët në blerjet online janë gjermanët: përdorin sistemin për të mos paguar për dërgesat dhe e marrin të njëjtën veshje në dy-tre numra të ndryshëm. Mbajnë atë të duhurin dhe kthejnë ato që nuk u hyjnë në punë. Më dorështrënguarit janë francezët, pavarësisht se Parisi është kryeqyteti i modës. Ata që shpenzojnë më shumë janë amerikanët, edhe pse ekonomia e tyre nuk po jeton ditët më të mira. Nëse ka fustane të gjatë të tipit hollivudian, mos shpreso kot: amerikanët i blejnë sa hap e mbyll sytë. Më befasuesit janë japonezët: rekordi i përket një zonje që harxhoi plot 4 mijë euro për një fustan prej letre me stilin e viteve '60, një thesar i vërtetë për koleksionistët.

Kjo tendencë botërore, të blerit online, po revolucionon dukshëm botën e modës. Sepse, gjithmonë sipas të dhënave të Yoox, problemet e prerjeve apo masave nuk i ndalin më blerjet. Burrat blejnë njëlloj sa gratë (një në tre blerës është mashkull) dhe momentet që u dedikohen vitrinave virtuale kanë ndryshuar (pushimi i drekës apo orari i punës në Europë, momenti i aperitivit dhe mbrëmjet e vona në SHBA apo Azi). Por jo vetëm kaq: aplikacionet e reja për iPad, iPhone dhe Smartphone bënë që një blerëse belge të shpenzonte plot 3 mijë euro për një xhaketë firmato. Për pasojë, "fashion sistem" ka hedhur në treg një numër të madh iniciativash, me detyrën për të fituar luftën mes dyqaneve reale dhe atyre virtuale. Kërkesa e parë për të garantuar një eksperiencë të bukur është kënaqësia dhe argëtimi. Ato çka ofrojnë sajtet e tilla si prada.com, miumiu.com apo valentino.com, shërbejnë në fillim për ta futur blerësin në një dimension përrallor. Një tjetër "as nën mëngë" është personalizimi. Kështu, në faqen e internetit louisvuitton.com mund të kërkosh vendosjen e inicialeve të tua në çantën e preferuar, duke zgjedhur mes 17 ngjyrave të ndryshme. Tërësia e veçorive që karakterizojnë një shtëpi të madhe mode ka shumë rëndësi. Duke u bazuar këtu, në faqen e internetit max-mara.com, sot mund të blihet xhaketa e famshme "101801", e lehtë për t'u kombinuar dhe simbol i kësaj firme. Edhe te robertocavalli.com përshkruhen momentet më të rëndësishme të karrierës së stilistit me rastin e 40-vjetorit të aktivitetit të tij. Pastaj ekziston edhe përpjekja për të ndërvepruar me publikun, siç tregohet në faqen e re gucci.com, apo nga faqja përkatëse në "Facebook". Ndërsa Giorgio Armani u ka kërkuar adhuruesve të tij të bëhen regjisorë dhe fotografë, duke u regjistruar në sajtin giorgioarmani-framesoflife.com, me rastin e ridizajnimit të syzeve që ai krijoi në vitet '80. Ndërkaq, Dolce&Gabbana kanë qenë ndër të parët që besuan te bota e uebit, duke krijuar swide.com, një lloj reviste online me komente dhe informacione, që shërben për të treguar të gjitha iniciativat e reja, por edhe për të bërë shopping për të gjithë ata që dëshirojnë. Por revolucioni i vërtetë mbërriti në shtator nga Londra: pak minuta pas sfilatës së Burberry, në faqen e internetit burberry.com mund të porositje veshjet që ishin parë në pasarelë të veshura nga modelet. Koha e marrjes? Më shpejt se një muaj e gjysmë, shumë herë më pak sesa ka qenë në të kaluarën. Këto lloj operacionesh kanë shijen e fantashkencës, sidomos nëse mendohet se firma të tilla si Chanel vazhdojnë të mos zgjedhin tregtinë online dhe t'i drejtojë klientët e tyre virtualë drejt butikëve realë. "Problemi i vërtetë nuk është të zgjedhësh mes internetit dhe dyqaneve tradicionale", thotë Andrea Panconesi, administrator i sajtit italian me sukses të madh ndërkombëtar, luisaviaroma.com. "Basti i së nesërmes do të jetë që realja dhe virtualja të afrohen aq shumë, sa të mos dallohen nga njëra-tjetra". Sigurisht që duhet të jetë një joshje e parezistueshme nëse fatura e shitjeve prek shifrën e 96 milionë eurove në gjashtëmujorin e parë të 2010-s. Nga Lady Gaga te Kylie Minogue, Scarlett Johansonn, Kate Hudson, madje edhe Kate Moss, kanë krijuar varësi për blerjet online. Jo vetëm modë, jo vetëm shopping. E gjithë e pandërgjegjshmja globale, e mbledhur në një server.

"Vendosa Marc Jacobs në Twitter dhe hapa një botë të re"
Ishte i pari që doli nga këshilli administrativ, për të përfunduar në Twitter. I vetmi që postoi në internet mbretin e "perandorisë" së tij të veshur me shapka dhe me një fytyrë të lodhur. Robert Duffy, administrator i deleguar i Marc Jacobs, e njeh mirë botën e blerjeve online, pasi në këtë fushë ka lëvizur shumë më herët se kolegët e tij. Ja se çfarë tregon stilisti në prag të prezantimit të "The Men and women of Marc Jacobs", një katalog për karrierën e stilistit më të famshëm në Amerikë me fotografi të Brian Bowen Smith.

Përse vitin e kaluar zgjodhët të braktisnit funksionet institucionale për të përdorur Twitter?

Gjithçka lindi rastësisht. Nisa të shkruaj në Twitter për miqtë dhe të afërmit. Shumë shpejt, personat që shihnin ato që postoja u bënë 70 mijë. Në atë pikë shumë mendonin se nuk isha unë që postoja komentet. Kështu fotografova Marc në punë, një natë para sfilatës. Ditën tjetër fotoja bëri shëtitjen nga

"New York Times" te "Vogue", madje deri te "Washington

Post". Shumë shpejt publiku u bë 20 milionë. Më besoni, nuk ka nevojë për komente, por vetëm për një reflektim mbi shpejtësinë e bërjes së gjërave.

Për sa i përket shpejtësisë. Burberry, pas sfilatës së fundit, ndryshe nga e kaluara, bëri që klientët të mund t'i marrin veshjet e porositura rreth një muaj e gjysmë pas shout. Çfarë mendoni?

Një iniciativë e rëndësishme dhe e guximshme, por që nuk ka lidhje me Marc Jacobs. Çdo shtëpi mode është një realitet më vete. Ne kemi shumë linja, pikërisht për të kënaqur nevoja të ndryshme.

Numri i dyqaneve online është rritur shumë në krahasim me butikët realë. Le të themi se firma jonë e ka lançuar në ueb linjën e re për të rinjtë "Marc by Marc Jacobs". Edhe nga eksperienca jonë me Louis Vuitton (ku Marc Jacobs është drejtor artistik), kemi kuptuar se janë aksesorët më të bukur ata të krijuar nga artistë si Stephen Sprouse dhe Takashi Murakami, që kërkohen më shumë në internet. Për sa u përket veshjeve shumë luksoze, mendoj se dyqanet reale janë vërtet shumë të rëndësishme për klientët. Sfida është ta bësh më të fortë, më emocionuese dhe më reale se më parë. Ne, për shembull, kemi hapur në New York librarinë e parë nën emrin Marc Jacobs. Në kohën kur Amazon.com funksionon për mrekulli, mendoj se është një shenjë e rëndësishme.

Si mendoni, cilat janë gjërat që duhet ta ndryshojnë botën e modës në të ardhmen?

Më shumë sesa të fokusohemi te blerjet online apo ato reale, duhet kuptuar që moda nuk lidhet vetëm me veshjet, por me mënyrën e jetesës në përgjithësi: me eksperiencën e të lexuarit, e të informuarit, e të argëtuarit. Kush arrin t'i bëjë të gjitha këto, do të ketë në dorë suksesin e së ardhmes.(Shqip)

Jeta në “hije” e mineraleve ekzotikë

Posted: 27 Oct 2010 02:42 PM PDT

Këto materiale mund të konsiderohen si më të çmuarat, si më të kërkuarat, si metalet për të cilat, sipas disave, ia vlen që të hapësh luftëra e të shkelësh embargo, e megjithatë konsiderohen si jashtëzakonisht të çmuara për disa lloj industrish

Janë metale të cilat gjenden në të gjitha shtëpitë e botës, bëhet fjalë për shtëpitë e shekullit të 21-të dhe përdoren në rang botëror për të krijuar të gjitha llojet e teknologjive të larta, duke filluar nga amët e deri te televizionet me ekran të gjerë dhe telefonat fiks apo celularë.

Dhe për më tepër, Kina është prodhuesja e 975 prej tyre. Ndërkohë, bota po krijon një varësi gjithnjë e më të madhe ndaj këtyre metaleve me një rëndësi jashtëzakonisht të madhe, edhe pse nuk bëhet fjalë për flori apo platin. Sipas një lajmi të fundit, Kina është duke reduktuar eksportin e tyre në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vitin që vjen ky reduktim do të jetë më i madh. Një veprim i tillë me të drejtë që ka shkaktuar shumë shqetësim te politikëbërësit dhe sigurisht te prodhuesit e sendeve të ndryshme. Kina e mohon pretendimin e fundit, por ndërkohë e ka bërë të ditur kohë më parë se planifikon që të ndërmarrë një veprim të tillë për të mbrojtur rezervat dhe parandaluar shfrytëzimin jashtë çdo kriteri të minierave. Ndërkohë, edhe vetë ky vend po përballet me një rritje shumë të madhe të kërkesës vendase.

Aktualisht qeveritë kanë filluar seriozisht për një mundësi të tillë, që do t'i fuste shumë industri në një krizë të vërtetë dhe të madhe. Një veprim i tillë do të kishte edhe një ndikim të drejtpërdrejtë në prodhimet kombëtare bruto të shumë vendeve, duke qenë se një masë e tillë do të ndikonte shumë tek eksportet. Kjo ka bërë që çmimet e këtyre produkteve të zakonshme, por edhe të produkteve më të sofistikuara që prodhohen me metale të zakonshme, të rriten ndjeshëm në disa vende të botës.

Të 17 elementët që njihen si minerale shumë të rralla tokësore, që nisin me numrin 57 dhe përfundojnë te numri 51, si dhe disa elementë të tjerë që ndodhen në tabelën periodike, gjenden në fakt jashtë Kinës, por një numër i madh minierash në vende të ndryshme të botës janë mbyllur për shkaqe nga më të ndryshmet. Deri në mesin e viteve '80 Shtetet e Bashkuara dominonin prodhimin, por më pas Kina ua mori Shteteve të Bashkuara në këtë drejtim. Ish-lideri kinez, Den Xiaoping, tha në vitin 1992 se "Arabia ka naftë, ndërsa Kina ka një nëntokë të pasur".

Kina ka nisur që t'i reduktojë kuotat e eksportit që nga viti 2006, duke ngjallur shumë dyshime dhe mbi të gjitha shqetësim në lidhje me vazhdimësinë e furnizimit nga ana e saj të shumë industrive botërore që i ka në varësi prej vitesh.

Kjo çështje u ringjall sërish në muajin shtator, pas arrestimit në Japoni të një peshkatari kinez në ujëra ndërkombëtare. Ky arrestim shkaktoi një debat shumë të madh. Japonia, e cila ka një varësi të madhe nga lëndët e para që i merr nga Kina, madje në masën 56%, pretendon se pikërisht pas këtij arrestimi Kina i shtrëngoi sërish eksportet e metaleve dhe lëndëve të para. Në një gazetë njujorkeze, një muaj më parë, ekonomisti i famshëm Paul Krugman shkruante: "Nga njëra anë kjo situatë reflekton mefshtësinë e politikëbërësve amerikanë që nuk bënë asgjë ndërsa Kina ishte duke fituar një terren të madh për sa i përket eksportit të lëndëve të para për shumë industri botërore; nga ana tjetër incidenti tregon se qeveria kineze është gjithmonë në një situatë ekspansioni të vazhdueshëm. Për sa i përket Kinës, ajo pretendon se mundësia e tkurrjes së investimeve nuk ka të bëjë aspak me vendime politike, por me zgjedhje individuale të kompanive të ndryshme. Gjithsesi, dhe në çdo rast, thuhet se kjo tkurrje do të jetë e masës 30% dhe e ardhmja e këtyre metaleve e ka çuar çështjen e burimit të tyre në qendër të axhendës politike të shumë vendeve të botës që varen shumë prej tyre. Dhe ajo çka po ndodh është se pas kësaj, shumëkush do të bëjë pyetjen: A duhet besuar më Kina si më parë?(Shqip)

Shkarkohet kryeadministratori i pasurive të sekuestruara

Posted: 27 Oct 2010 02:20 PM PDT

Ministri i Financave largoi nga detyra Hekuran Vladin, ndërsa ky i fundit e akuzoi mungesë të transparencës

Shkarkimi nga detyra vetëm pak ditë përpara se të hapeshin procedurat e shitjes së pasurive të lulëzim Berishës e Aldo Bares

TIRANË- Shkarkohet nga detyra kryeadministratori i Pasurive të Sekuestruara e të Konfiskuara, Hekuran Vladi, ndërsa ende nuk ka ndonjë motivacion të saktë mbi këtë shkarkim.

Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare të Ministrisë së Financave, të cilët sqaruan se shkarkimi nga detyra i drejtuesit të Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara e të Konfiskuara ka ndodhur mëngjesin e së hënës, ndërsa një urdhër me nr.72, firmosur nga ministri i Financave, Ridvan Bode, i cili nuk jep ndonjë arsye të lirimit nga detyra.

Po nëpërmjet këtij urdhri, ministri Bode emëroi në detyrën e Drejtorit të Agjencisë së Pasurive të Sekuestruara e të konfiskuara Besnik Çobajn. Ai deri pak ditë më pare, mbante detyrën e shefit të personelit në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve. Në urdhrin e shkarkimit të siguruar nga “Shekulli”, nuk jepet motivi i shkarkimit nga detyra të Vladit, i cili ndodhej në krye të agjencisë në varësi të Ministrisë së Financave që nga fillimi i vitit 2008.

I kontaktuar me telefon, ish-kryeadministratori i agjencisë, Hekuran Vladi, pranoi se është liruar nga detyra pa ndonjë motivacion. “Jam liruar nga detyra, pasi Ministri i Financave, Ridvan Bode, e ka fobi transparencën me publikun. Pikërisht pse isha transparent me publikun, unë u lirova nga detyra.

Ata që fshihen nga kamerat në tualete (banjo) emërohen nga ky ministër këshilltarë të lartë të tij”-tha z.Vladi gjatë komunikimit me “Shekullin”, duke mos pranuar të japë më shumë shpjegime për këtë. Nga ana tjetër, mësohet se lirimi i Vladit nga detyra e tij, është kryer vetëm pak ditë para se Ministria e Financave të nxirrte në shitje pronat e sekuestruara që prej dy vitesh nga persona të ndryshëm të akuzuar për krim të organizuar.

Ato administrohen nga agjencia që drejtonte deri pak ditë më parë Hekuran Vladi. Ndër pronat që pritej të nxirren në shitje mbi bazën e Vendimit të Këshillit të Ministrave që ende nuk është botuar në Fletoren Zyrtare, është Laguna e Karavastasë, e cila ka qenë në pronësi të të pandehurit të akuzuar si kreu i “bandës” së Lushnjës të pandehurin Aldo Bare.

Po kështu pritej të hapej ankandi edhe për disa prona që ndodhen në bregdetin e Durrësit, në emër të akuzuarit Lulëzim Berisha, të konfiskuara tashmë me vendim të Gjykatës së Lartë.

Në të kundërt, në korridoret e Prokurorisë për Krime të Rënda dhe Gjykatës së Krimeve të Rënda, flitet se lirimi i Vladit, mund të ketë ndodhur nga ndikimi i personave të ndryshëm, të cilëve i janë bllokuar pronat dhe që administrohen. Sipas këtyre zërave, të interesuarit kanë ndikuar tek Ministri Bode për shkarkimin e Vladit. Vetë ai i pyetur për këto zëra nuk pranoi të prononcohet.

Agjencia që drejtohej drejtori i saj i saposhkarkuar, ka administruar pasuri të sekuestruara e konfiskuara në vlerën e mbi 3 miliardë lekë të vjetra. Nga këto 1.5 miliardë lekë janë prona dhe pasuri të të akuzuarve për terrorizëm siç është rasti i sheikut Yasin Al-Kadi.

Po ashtu 1.5 miliardë të tjera, janë pasuri e personave të dyshuar dhe dënuar për kryerjen e aktivitetit kriminal të paligjshëm, si të trafikut të drogës, prostitucionit dhe organizatave kriminale.

Lirimi i Vladit nga detyra vjen edhe pse në raportin e BE-së, në “detyrat” e përcaktuara për qeverinë është vënë theksi dhe është kërkuar që mos të preket stafi i kësaj agjencie por shtimi i tyre, zgjerimi i fondeve dhe ndryshimi i teknologjisë së funksionit të kësaj agjencie.(Shekulli)

“U ekzekutua se do të rikandidonte”

Posted: 27 Oct 2010 02:16 PM PDT

Vëllai i kryekomunarit tregon se si gjeti në prag të derës Remziun të masakruar. Sipas tij, familja Veseli nuk ka hasmëri me askënd në Kukës

Bilbil Veseli: Im vëlla u ekzekutua për arsye politike, do fitonte sërish zgjedhjet në komunën Tërthorë të Kukësit

Zakoni dhe nderi e do të tregohet burrë ani pse dje gjysmën e shpirtit të tij duhet ta varroste pëgjithmonë. Qëndron në krye të burrave paçka se dhimbja ka shkërrmoqur çdo fije burrërie të Bilbil Veselit.

Është mbledhur sa një grusht dhe lotët e tradhtojnë në përpjekjet e tij të mundimshme për t’u treguar i fortë edhe në ditën më të zezë të jetës së tij. E për të nuk ka gjëmë më të madhe se sa të shohë në prag të shtëpisë vëllain e masakruar nga plumbat.

Në një intervistë për “Shekullin”, Bilbil Veseli rrëfen ngjarjen e ndodhur në mbrëmjen e së hënës ku sipas tij i vëllai, Remziu, është ekzekutuar vetëm për arsye politike. E për të vërtetuar këtë, Bilbili të thotë se Remziu do të kandidonte sërish në zgjedhjet lokale. Dhe ky është motivi masakrës të së henës në familjen Veseli.

Z. Bilbil kur ka qenë momenti i fundit që keni biseduar me Remziun?

Pasditen e së hënës ka qenë hera e fundit që e kam parë dhe folur me tim vëlla. Rreth mbrëmjes, aty nga ora 18-të doli në qytet. Nuk di të kishte ndonjë takim por zakonisht Remziu dilte për kafe ku takonte miqtë e tij. Doli për mos u kthyer më i gjallë.
Kishte ndonjë takim të veçantë të hënën?

Jo. Tha se do të dilte thjesht për kafe.
Dhe ju si e mësuat lajmin e vrasjes së tij?

Unë e gjeta në pragun e derës të rrëzuar përpara makinës së tij. Ishte i mbytyr në gjak dhe nuk besova se kishte vdekur. Menjeherë e kam çuar në spital me shpresën se ishte gjallë por gjithçka kishte përfunduar.

Z. Bilbil ju nuk keni dëgjuar asgjë?

Ne ishim të gjithë në shtëpi dhe aty rreth orës 21 e 30 minuta kam dëgjuar tre të shtëna por nuk u alarmuam sepse menduam se mos ishin fishekziarre që hidhnin fëmijët. Paçka se na u duk e çuditshme që në atë orë dhe me atë kohë, binte shumë shi, të hidhnin fishekzjarre, nuk kam luajtur nga shtëpia për disa minuta të tëra. Por më vonë dola në verandë dhe pashë derën e madhe të hapur.

Dritat e makinës së Remziut ishin të ndezura. Kam vrapuar menjëherë për të parë se çfarë kishte ndodhur dhe aty e gjej tim vëlla të mbytur në gjak. Nuk e kuptova që ishte në grahmat e fundit të jetës.

Ju nuk keni parë asgjë tjetër?

Jo. Në rrugë nuk kishte këmbë njeriu ndërsa Remziun duket se e kishin vënë në pritë teksa po hapte portën e avllisë për të hyrë brënda në shtëpi. E kanë gjuajtur pas koke.

Z. Bilbil, a jeni në dijeni nëse Remziu kishte konflikte qoftë për hir të detyrës së tij?

Jo. Deri më tani Remziu nuk më ka treguar qoftë dhe një rast të vetëm të kishte probleme me detyrën apo dhe me njerëz të ndryshëm në qytet. Jo vetëm ai por dhe ne si familje nuk kemi asnjë konflikt apo hasmëri me askënd në Kukës.

Por kohët e fundit, qoftë dhe gjatë ditës së hënë, a keni konstatuar ndonjë shqetësim tek Remziu?

Jo. Përkundrazi. Të hënën ndihej i gëzuar. Dhe gjatë gjithë kohës tregonte ceremoninë martesore të Kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama. Ishte i lumtur që kishte marrë pjesë në këtë festë dhe ia rrëfente gjithkujt. Jo. Remziu nuk kishte asnjë problem për të cilin duhej të merakosej.

Deri sa ju thoni që Remziu nuk kishte asnjë konflikt, për çfarë arsye mendoni se është ekzekutuar vëllai juaj?

Remziu është ekzekutuar vetëm për arsye politike dhe për këtë unë jam i bindur. I ka fituar dy herë zgjedhjet në komunën Tërthorë dhe do të kandidonte sërish. Remziu ishte i bindur që do të fitonte dhe kjo më sa duket nuk i ka përlqyer kundërshtarëve të tij. Është vrarë për t’i liruar rrugën të tjerëve.

Po pse ka pasur Remziu konflikte politike, qofshin këto dhe me kundërshtarët e tij?
Të drejtpërdrejta jo. Por e vetmja mënyrë që kundërshtarët e tij të fitonin zgjedhjet në atë zonë ishte eliminimi i Remziut dhe këtë bënë.

Kreyeplaku i fshatit Tërthotë tregon se Remzi Veseli nuk ka patur asnjë konflik të zonë
Tërthorë, aty ku vajtohet kryetari mes skamjes dhe varfërisë

Dyert e shkollës janë të mbyllura. Do fëmijë që luajnë në oborr të thonë se mësuesit kanë shku për mort. Edhe komuna e Tërthorës, aty ku deri dy ditë më parë drejtonte punët 42- vjeçari Remziu Veseli, i ka dyert e mbyllura.

Të vetmit njerëz që gjen janë ca burra të moshuar që pijnë kafenë e hidhur në lokalin e vetëm të fshatit. Kanë disa orë të mira që qëndrojnë aty pasi tymnaja e duhanit ka mbushur çdo hapësirë të asaj dhomëze të vogël të quajtur lokal e të zë frymën.

Burrat janë të ngrysur e nuk ia kanë fort ngenë rrëfimeve për njerëz të huaj. Ndërkohë që lajmi i vrasjes së kryetarit të tyre duket se ka shokuar krejt zonën ku tre vjet të shkuara është votuar për të dytën herë Remziu. Nga 100 shtëpi që ka fshati Tërthorë të paktë janë burrat që nuk kanë shkuar dje për mort tek Veselajt. Këtë të thotë Vehap Ademi, ish mësuesi i matematikës së Remziut.

Fjala e mirë që ndante me çdokënd duket se ka ngjalllur respektin e tërë banorëve të komunës e cila numëron 3500 banorë të shtrirë në 6 fshatra. Për 6 vitet që ka drejtuar këtë komunë, duket se mirësia apo zgjidhja e ndonjë halli të vogël ka qenë ajo çka ka mundur që Remzi Vezeli të bëjë për ata njerëz që e votonin.

E hall i vogël në Tërthorë është një thes miell. Vehbi Ademi të thotë se nuk janë të pakta rastet që Remziu blinte thasë mielli për bashkëfshtarët e tij. Veç kësaj, s’ka mundur të bëjë asgjë më shumë kryekomunari i votuar për të dytën herë.

Banorët e komunës Tërthorë jetojnë në kufijtë e mjerimit. Fshati nuk ka një pëllëmbë rruge të shtruar paçka se pak hapa e ndajnë nga autostrada luksoze Durrës -Kukës. 3500 banorët e zonës vuajnë për pikën e ujit e frymën e mbajnë gjallë me “bukën e qeverisë”.

Kradi Shahu, kryeplaku i fshatit të thotë se njerëzia aty jeton me asistencë të cilën edhe atë duhet të shkojnë ta marrin në Kukës. Sipas tij, që kur në krye të komunës është zgjedhur Remzi Veseli, që i përket Partisë Socialiste, dora e qeverisë nuk është ndierë në këto anë. Kadriu të tregon se njerëzit aty mbajnë frymën gjallë me lista në dyqanin e tij që ka vetëm asortimente ushqimore. “Në fshat nuk ka punë, po kështu as toka nuk punohet se nuk ka ujë.

Njerëzit marrin thesë me miell dhe i paguajnë kur marrin asistencën. Vetëm në Tërthorë, nga 100 shtëpi që ka fshati vetëm tre burra punojnë”-të thotë kryeplaku Kadri Shahu. Sipas tij, po kaq në mjerim gjënden dhe pesë fshatrat e tjerë të komunës të cilat janë shtrirë përgjatë autostradës qindra miliona euroshe që më shumë se sa në perëndim të rikthen në poemën e mjerimit të Naimit.

Por varfërisë burrat e këtyre anëve dinë t’i dalin zot. Por dert kanë me hasmin që të pret në derë. Ndaj i madh e i vogël në Tërdhorë flet për ekzekutimin e dy netëve më parë të kryetarit të tyre. “Është e pamundur që Remziun ta kenë vrarë për ndonjë konflikt këtu në fshat apo për çështje pronësie të tokave.

Remziu ishte tip i komunikueshëm dhe me zemër të madhe paçka se nuk ishte në dorën e tij të bënte shumë për banorët e kësaj zone”,-të thotë kryeplaku mendimi i të cilit përforcohet edhe nga ish- mësuesi i matematikës.

Burrat e kësaj zone të thonë, se gjëma në shtëpinë e Veselajve nuk ka ardhur për shkak të punëve të shtetit që Remziu kryente në këto fshatra. Përkundrazi. Megjithëse në mjerim të plotë, çdonjëri prej tyre është mirënjohës qoftë për fjalën e mirë apo për thesin me miell që jo rrallë herë kryekomunari ka paguar për bashkëfshatarët e tij. Ndaj dhe dje fshati Tërthotë Ishte i shkretë, aq sa dukej se gjëma e mortit ka rënë në 100 dyert e këtij fshati anës autostradës por pa një pëllëmbë rrugë të shtruar.

Orët e fundit të Rezmi Veselit, nga kafja në pritën e ekzekutimit
Kafeja në një lokal, jo ndër më të frekuentuarit e qytetit të Kukësit, janë orët e fundit të jetës së kryetarit të Komunës Tërhorë, Remzi Veseli. Lokali gjëndet në një zonë në të dalë të qytetit dhe më së shumti shërben si qendër e internetit ku të rinjtë “vrasin” kohën në Kukës. Rreth orës 19-të të së hënës ka mbërritur në këtë lokal dhe Ramziu që sipas gjasave është ftuar aty nga djemtë e xhaxhallarëve të tij.

Djaloshi që i ka shërbyer kafen, Renatoja, të thotë se fillimisht të ulur në tavolinën e fundit të lokalit, (ka vetëm pesë të tilla) gjëndeshin kushërinjtë e Remziut i cili është bashkuar me ta pak më vonë.

Renatoja rrëfen se mes tyre nuk ka vënë re asnjë gjë të dyshimtë ndërkohë që kushërinjtë kanë gjerbur kafene për nja dy orë të mira. “Nuk di për çfarë kanë biseduar por pasi u ngritën ata u ndanë dhe shumë më vonë kam dëgjuar për vrasjen e Remziut”,-të rrefen kamarieri.

Por duket se pikërisht këto minuta kanë ndarë nga jeta kryetarin e Komunës së Terthorës. Prej këtij momenti askush nuk ka parë dhe dëgjuar gjë për të deri sa i vëllai e ka gjetur të masakruar në derën e shtëpisë.

Të paditurin bën edhe një prej kushërinjve të Remziut. Dashnor Veseli është një prej kushërinjve të kryetarit të komunës me të cilët ai ka pirë kafenë e fundit të jetës së tij. “Ne pimë thjesht një kafe dhe kemi biseduar për gjëra normale. Pastaj, atyre rreth orës 21, jemi ngritur nga lokali. Remziu hipi ne makinë dhe tha se do të shkonte në shtëpi.

Ndërsa unë me dy vëllezërit e tjerë u larguam bashkë. Pas një ore na ka telefonuar Bilblili ku na ka treguar çfarë ka ndodhur”,-rrëfen për gazetën “Shekulli” kushëriri i viktimës.

E ndërsa sipas vëllezërve kafeja e fundit me Remzi Veselin ka qenë thjesht një takim formal mes kushërinjsh, burime të policisë thonë se pak kohë më parë mes tyre ka pasur një konflikt motivet e të cilit janë ende të paqarta. Por megjithëse në Kukës përflitet një zënke e tillë në shtëpinë Veseli kjo ngjarje mohohet të ketë ndodhur.

Dashnor Veseli thotë se Remziu nuk ndihej i shqetësuar apo i kërcënuar ndërkohë që grupi hetimor ka renditur zënkën në një nga pistat e mundshme për të zbardhur ngjarjen që dy ditë më parë tronditi qytetin e Kukësit.

Shoqërohen në polici mbi 20 persona/ Asnjë dëshmitar kyç për ekzekutimin e Remzi Veselit

Pistat e hetimit, nga konfliket personale deri tej ajo për shkak të detyrës.

Orët e vona të natës dhe shiu i rrëmbyeshëm i së hënës duket se ka qenë mburoja më e mirë e autorit të krimit që me tre pluma i ka marrë jetën Rasim Veselit.

Ndaj dhe 20 personat e shoqëruar në Drejtorinë e Policisë së Kukësit nuk kanë dëshmuar asnjë fakt të rëndësishëm për grupin hetimor për zbardhjen e ngjarjes që dy net më parë tronditi opinionin publik në qytetin e Kukësit.

Përveç tre gëzhojave të plumbave që mendohet të jenë lëshuar nga një pistoletë e tipit TT dhe ekspertizën mjekoligjore ku saktësohet se vdekja e kryekomunarit Veseli është shkaktuar si pasojë e plumbave të marra në kokë, grupi i hetimit nuk ka ende asnjë provë për të zbardhur ngjarjen.

Megjithëse gupi hetimor i policisë së Kukësit është mbështetur edhe me ekspertë të dërguar nga Tirana, të cilët vazhduan ekspertizën në vendngjarje edhe paraditen e së martës deri në orët e vona të natës nuk ka patur një autor të dyshuar si ekzekutuesi i kryetarit të Komunës së Tërthorës.

Por e vetmja deklaratë zyrtare që bëjnë burimet e policisë dhe ato të prokurorisë së rrethit është se momentalisht po hetohet në tre pista kryesore zbardhja e të cilave shpresohet të çojë grupin hetimor drejt autorit të krimit.

Zbardhja e tabulateve telefonike është kthyer në orët e vona të mbrëmjes në thembrën e Akilit të grupit hetimor të ngritur në policinë e qytetit të Kukësit. Sipas hetuesve besohet se kryetari i Komunës, Rasim Veseli, është thirrur në pritë ndërkohë që pasditen e djeshme janë ngritur edhe pistat e para të hetimit për zbardhjen e ngjarjes.

Kështu burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se pista e parë në të cilën po punohet është ajo e një konflikt të mundshëm të viktimës me banorët e komunës që Veseli drejtonte prej disa vitesh. Shkak i këtij konflikti hetuesit besojnë se mund të ketë qenë procesi i shpronësimeve në autostradën Durrës- Kukës.

Por jashtë vëmëndjes së grupit hetimor nuk është lënë as pista për shkak të detyrës që kryente 40 vjeçari Rasim Veseli. Hakmarrja politike, për të cilën familjarët e viktimës dyshojnë se ka ndodhur ngjarja, është një tjetër pistë që po hetohet dhe për këtë janë thërritur të dëshmojnë jo vetëm anëtarët e familjes Veseli por edhe kolegë të tij.

Por krahas këtyre dy pistave, grupi i hetimit nuk ka përjashtuar as pistën e një konflikti personal që viktima mund të ketë pasur me ndonjë person gjatë ditës së ngjarjes. Por gjithsesi, përveç numrit të madh të personave të shoqëruar në policisë deri në orët e vona të natës, policia e qytetit të Kukësit kishte të qartë vetëm ngjarjen e ekzekutimit të 40 vjeçarit Rasim Veseli. Ekzekutimi i i drejtuesit të komunës Tërthore është bërë në mënyrë mafioze në lagjen numer tre të qytetit të Kukësit.Vrasësit kanë shfrytëzuar natën, kohën me reshje të dëndura shiu si dhe vetë faktin se në këtë lagje mungon ndricimi i rrugëve dhe trotuareve, për të kryer qetë punën e tyre.

Bazuar nga të dhënat e ekspertizës, rezulton se autorët i janë afruar viktimës në momentin kur ka zbritur nga automjeti i tij për të hapur porten. Vrasesit i janë afruar në një distancë të afërt duke e qëlluar me pistoletë me tre plumba në kokë. Më pas mendohet se autorët janë larguar në këmbë duke dalë jashtë qytetit.

Ndërkohë që policia nuk mohon se vrasja mund të jetë kryer në mënyrë të organizuar dhe se në të kenë marrë pjesë disa persona të cilët ende janë të lirë e ndoshta i kanë dhënë dje lamtumirën kryetarit të komunës Tërthorë

Policia: Shpërblim 5 mln lekë për vrasësit e Rezmi Veselit
Policia e Kukësit, nëpërmjet një deklarate, bën me dije se ka vendosur në dispozicion të personave që japin informacion mbi vrasësit e kreut të komunës Tërthore në Kukës, Remzi Veseli, shumën prej 5 mln lekësh. Sipas policisë, “do të garantohet anonimati për personat që japin informacion”. Në dispozicion të tyre janë vendosur numrat 0694110233, 0694106303.

Ceremonia mortore,
E motra e Remzi Veselit mbërrin pak minuta para varrimit/ Familjarët kërkojnë gjetjen e autorit të krimit
Një shami e kuqe mbulon masakrën e dy ditëve më parë që ndodhi në shtëpin e Veselajve. Fytyra e Remziut është e masakruar ndaj dhe askush nuk mund t’i jepte puthjen e fundit në këtë jetë. As Drita, e motra më e madhe, e cila ka mbërritur dje në Kukës pak minuta para se Rasimi të përcillej për në banesën e fundit.

E ka takuar për herë të fundit të vëllain më të vogël një vit më parë ndërsa dje vetëm lotët ka mundur të derdhë mbi trupin e tij të pajetë. Vaj ky që ka nisur që pa zbardhur dita në shtëpinë e Veselajt. Si e do zakoni, gratë e fisit kanë rrethuar xhenazen e gjithsecila prej tyre në vaj ngashërehej për jetën e marrë dhunshëm të Rasimit.

Ndërsa pak metra më tutje, burrat e shtëpisë ndanin dhimbjen jo vetëm me të njohurit e tyre por dhe me drejtuesit më të lartë të Partisë Socialiste. Ajo që dihet në Kukës është se Rasimi ishte ndër militantët e flaktë të kësaj force politike. Ndërsa të afërmit e tij thonë se për këtë shkak edhe u ekzekutua. Por dje duket se nuk ishte fort dita e duhur për akuza.

Ndaj burrat në mort tregohen të heshur e gratë s’pushojnë vajin për gjëmën që ende nuk e dinë përse iu ra ne derë. Vaj që ka zgjatur deri në momentet ku si e do zakoni, burrat kanë përcjellë për në banesën e fundit trupin e pajetë të kryetarit të komunës Tërthorë, Rasim Veseli.(Shekulli)

Tefta Tashko Koço në repertorin e viteve ’30

Posted: 27 Oct 2010 02:11 PM PDT

Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit e kujton sopranon dhe këngëtaren lirike, Tefta Tashko Koço në 100-vjetorin e lindjes, sot ORA 19.00. “Arti lirik i jetës sime” është homazh koncertor që këngëtarët e TOB-it do ta bëjnë me interpretimin e repertorit të Tashkos, repertor që e ka kënduar në vitet tridhjetë të shekullit të kaluar.

Orkestra Simfonike dhe kori i Teatrit me solistë Mariana Lekën, Ylber Gjini, Irini Nikolla, Etleva Golemi, Armald Kllogjeri, Shpresa Beka, Eriona Gjyzeli etj., do të drejtohet Zhani Ciko.

Ndër rolet e interpretuara janë: Mimi nga opera “La Boheme” që sopranoja e ka kënduar më 1934 në Paris dhe Beograd, Violeta te “La Traviata” kënduar më 1934 në Francë dhe Itali, Butterfly te “Madame Butterfly” kënduar më 1935 në Francë, Lejla te “Peshkatarët e perlave” më 1935 në Francë, Michaela te “Carmen” kënduar më 1934 në Francë), Lucia te “Lucia di Lamermur” kënduar më 1935 në Francë, e më Rosina te “Il barbiere di Seviglia” më 1936, Margarita te “Faust” më 1934, Manon te “Dasma e Figaros” më 1934, të gjitha këto i ka interpretuar në skenën franceze.

Tefta Tashko Koço u lind në Fajum, Egjipt më 2 nëntor 1910. Shkollën e mesme për muzikë e kreu në vitet 1927-1931 pranë Conservatoire de Musique në Monpelje, në Institut Musical & Dramatique Professionel në Paris dhe katër vitet më pas studion në në Conservatoire National de Musique et de Declamation në Paris. Krahas studimeve ajo provon në disa skena evropiane, ndër to edhe në Operën Komike të Parisit.

Kthehet në Shqipëri në vitin 1936 dhe bashkë me Marie Krajën, Jorgjie Trujën, Kristaq Antoniun, Mihal Ciko, Kristaq Koçon dhe pianistët Lola Gjoka dhe Tonin Guraziu, krijon grupin pionier të kantos. Janë aktiv, japin koncerte në Shqipëri dhe jashtë saj.

Aktiviteti i saj vitit 1945 njeh edhe një periudhë të shkurtër lulëzimi, më pas vijnë zhvillimet politike, vendi hyri nën diktaturë dhe familja Tashko është e ekspozuar hapur ndaj goditjeve të para të regjimit të Hoxhës.

Energjitë e sopranos frenohen dhe ajo shihet të këndojë larg operistike, vetëm në koncerte me piano ku kryesisht interpretonte këngë popullore: Kroi i fshatit tonë, Dola në penxhere, Kur më vjen burri nga stani, oh, ku po shkon moj goc’e vogël, Fryn veriu, Kenke nur i bukuris, As aman o syr’i zie, etj..

Falë këtyre regjistrimeve ruhet prej artistes ai imazh i brishtë, elegant dhe si prej ëndrre që gëzon edhe sot. Një pjesë e mirë e repertorit të Tashko Koços është e regjistruar në pllaka gramafoni të shoqërisë “Columbia”.
Iu dha titulli “Artiste e Popullit.(Shekulli)

E infektuara me SIDA: Na mungojnë barnat, shteti po na vret

Posted: 27 Oct 2010 02:09 PM PDT

Një nënë e infektuar me virusin HIV/AIDS thekson se situata e mungesës së antiretroviralëve përsëritet çdo vit. Ka një VKM për këto barna

Jeta e tyre mbahet vetëm me medikamente. Fatkeqësisht, kjo e drejtë iu privohet, sepse trajtimi mjekësor nuk iu mundësohet për shkak të neglizhencës që iu bëjnë strukturat shtetërore. Bëhet fjalë për të sëmurët me SIDA, të cilët vuajnë mungesën e trajtimit me barna dhe ky problem iu ndodh rëndom.

Një familjare e infektuar me virusin HIV/AIDS tregon dramën që përjetojnë të sëmurët kur iu mungon trajtimi.

“Jeta jonë është e lidhur me antiretroviralët. Ne mund të jetojmë gjatë dhe si gjithë të tjerët, por pa mjekimin kjo është e pamundur.

Përveç dëmeve që sjellin në shëndetin e tyre, që është pjesa më e rëndësishme që rrjedh si pasojë e ndërprerjes së terapisë, ajo që ka krijuar probleme këto kohë ka qenë edhe kostoja financiare në të ardhurat e familjeve të tyre dhe humbjet në kohë”, – pohon nëna e infektuar me virusin, duke shtuar se ndërprerja e mjekimit krijon probleme me shëndetin e personave, pasi, duke qenë një virus që krijon rezistencë ndaj medikamenteve antiretroviralë, në momentin kur e rifillon sërish mjekimin me të njëjtën skemë mjekimi, ai mund të mos jetë më efiçent.

Ndërkohë, ajo pohon se për kushtet e Shqipërisë kemi një numër të kufizuar medikamentesh anti-HIV, vetëm 9 nga 28 medikamente të përdoruar sot në botë. Pra, pasojat janë të dëmshme për shëndetin e tyre.

“Pothuajse çdo vit janë përsëritur situata të ndërprerjes së mjekimit, si për fëmijët që janë në terapi me medikamentet antiretroviralë, ashtu edhe për të rriturit. Ende edhe pas kaq vitesh nuk kemi një sistem efikas në planifikimin dhe blerjen e tyre”, – pohon e infektuara me virusin HIV/AIDS, duke shtuar se ka vonesa në planifikim dhe porositjen e blerjes së tyre, pastaj ndeshen të njëjtat vështirësi me dokumentacionin.

Sipas saj, ka raste kur barnat rrinë në doganë me javë të tëra, ndërkohë që nuk ka mjekim në klinikë, vështirësi me kontrollin e barnave për vendosjen e pullave për shërbim spitalor etj. Ndërkohë, ajo thekson se një VKM që përcakton një fond të veçantë nga buxheti shtetit për blerjen e barnat, dhe edhe pse ai si fond shkon së bashku në blerje medikamentesh në QSUT është i përcaktuar dhe i paprekshëm.

Pipero: Mungesat erdhën nga keqmenaxhimi

Të sëmurët me SIDA vuajnë mungesën e trajtimit me medikamente. Vetëm para dy ditësh antiretroviralët kanë mbërritur në QSUT pas një mungese të këtyre barnave. Shkak për mungesën e antiretroviralëve (barnat e pacientëve me SIDA) është bërë keqmenaxhimi i fondeve që jepen për këto medikamente.

Sipas drejtorit të Politikave Shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero, fondet për këto medikamente nuk janë lëvruar në kohën e duhur. “Ish-drejtori i QSUT-së nuk ka lëvruar fondin për këto medikamente duke menduar se fondi jepet nga UNICEF. Në fakt, tenderi bëhet nëpërmjet kësaj organizate, por paratë jepen nga QSUT-ja, ndaj dhe pacientët me SIDA kanë pasur mangësi të trajtimit me barna”, – thekson Pipero.

Ndërkohë, ai shpjegon se kostoja për këta pacientë është shumë e lartë dhe arrin 150 mijë euro në vit vetëm për antiretroviralët, ndërsa për të gjitha trajtimet, përfshi diagnostikimet dhe analizat, kostoja për një pacient arrin në 20 mijë euro në vit.

Boci: Buxheti i QSUT-së, i pamjaftueshëm

Nëndrejtori i QSUT-së, Besim Boci, thekson se buxheti i këtij spitali nuk është i mjaftueshëm për të mbuluar të gjithë pacientët dhe llojet e sëmundjeve, ndaj dhe vijnë mangësi të tilla. “Barnat për këtë kategori pacientësh janë shumë të shtrenjta, duhet të kuptoni se është vështirë të mbulohet gjithçka me buxhetin e QSUT-së”, – pohon Boci.

Ndërkohë, doktor Arjan Harxhi, mjek në shërbimin e Infektivit në QSUT thekson se trajtimi i këtyre pacientëve është shumë i rëndësishëm dhe jeta e tyre është e lidhur tashmë me mjekimin. Virusi HIV/AIDS, sipas tij, me anë të mjekimit është jetëgjatë, ndaj dhe tashmë edhe në botë po konsiderohet se sëmundje kronike.
Ndërkohë, ai shpjegon se kostot për pacientët ndryshojnë në varësi të ecurisë së sëmundjes, por ato arrijnë nga 20 dollarë deri në 200 dollarë në muaj për një pacient. Sipas tij, këto medikamente nuk blihen në farmaci, por pacientët duhet t’i marrin vetëm në QSUT.(Shekulli)

Shfaqet “Princess 100″ e Martin Camajt

Posted: 27 Oct 2010 02:05 PM PDT

Objektet personale të shkrimtarit vijnë nga Gjermania për t’u ekspozuar në Qendrën e Studimeve Albanologjike, bashkë me fotografi familjare dhe udhëtimesh. Ekspozita vetëm sa e ngacmon kureshtjen, nuk e shuan atë

“Sikur të isha i shtrënguar me e mbajtë Dranjan si shtazë shtëpiake, do t’i jepja vetëm dromcat e kafshatës sime”. Këto fjali shkruhen në faqen e parë të ditarit të tij Martin Camaj, në vitet ’80, për prozën poetike të tij “Dranja”.

Ditari, bashkë me objekte të tjera personale të Camajt, ekspozohet 8 vite pas vdekjes së tij në Qendrën e Studimeve Albanologjike, me rastin e dhënies së Urdhrit “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Republikës.

Këndi më tërheqës i ekspozitës ishte ai i objekteve personale që zonja Camaj ka sjellë me vete në Tiranë nga Arkivi i Familjes në Gjermani.

Është një makinë shkrimi, një stilolaps me veshje ngjyrë argjendi, rruzarja me Krishtin e kryqëzuar dhe tri palë syze që ndryshojnë në madhësi e ngjyra. Të parat shquhen syzet e errëta me skelet të zi, tip të cilin Camaj është parë t’i mbajë në publik, nëpër konferenca po në takime me miqtë.

Makina e shkrimit “Princess 100″, duket objekti më i vyer i këtij koleksioni. Erika Camaj tregon se me “Princeshën”, Martini ka punuar dekada për veprën e tij letrare e studimore. Ishte me vlerë kjo makinë për të sepse “ishte e pajisur me shkronja të alfabetit ndërkombëtar fonetik”.

Në vitrinat e sendeve personale janë ekspozuar libra nga biblioteka personale e Camajt, ato që lexuesi brenda kufijve të Shqipërisë i ka pak të njohura dhe që i takojnë veprave studimore të botuara në Itali dhe Gjermani. Kemi studimin e vitit 1993 “La parlata arbëreshe – di San Costantino Albanese in provincia di Potenza”, shkruar nga Camaj, dhe tjetri, “Racconti Popolari”, studim i drejtuar nga Ernest Koliqi dhe i përgatitur nga Camaj.
Nga letërkëmbimi i shkrimtarit shqiptar që jetoi gjithë jetën në ekzil, kemi vetëm tri letra dhe ato me zor deshifrohen.

Më e qarta është ajo e shkruar në vitet ’90, ku Camaj i shkruan përkthyesit dhe mikut të tij Hans-Joachim Lunksch, në kohën kur vepra e tij po bëhej e njohur në Tiranë e Shkodër dhe kur sapo ishte krijuar “Lidhja e lirë e Intelektualëve të Shqipërisë”. Anëtarët e lidhjes i bën një ftesë për bashkëpunim Camajt. Albanologu shprehet i shqetësuar për “konsumimin” e veprës së tij nëpër qarqet intelektuale të Tiranës.

“Veprat e mia letrare po hyjnë në Shkodër e në Tiranë në pjesën intelektuale dhe po “konsumohen” në mënyrë të ndryshme, reakcionet më komunikohen përmes letrave dhe tash edhe përmes shtypit. Disa interpretime të veprës sime më irritojnë, bile më mungojnë nervat t’i akceptoj: andaj edhe shqetësimi im për të cilin të fola në telefon”, shkruan ai.

Po në këtë letër, ai i shkruan Lankschit, arsyen se përse nuk pranon të marrë pjesë në “Lidhjen e intelektualëve të lirë të Shqipërisë”. Ja çfarë shkruan:

“Një ndër probleme të tyne ashtë botimi sidomos gjermanisht i autorëve shqiptarë të ndaluem, disa nga ata edhe tash të burgosun, si Kasëm Trebeshina, një rival i Kadaresë në vitet ’60. U thashë se unë s’përzihem në grindje të mbrëndshme, kusht për mue ndamja e letërsisë nga politika dhe vlerësimi i vlerave të vërteta”.

Këto ishin sende personale që Erika Camaj kishte sjellë nga Gjermania në Shqipëri. Të tjerat ishin fotografi familjare në shtëpinë në Lenggries dhe veprimtaria e Camajt në Universitetin e Mynihut.

Fotografitë e tjera rrëfejnë për lidhjen e shkrimtarit me
me shqiptarët e Kosovës, arbëreshët e Italisë dhe shqiptarët e Diasporës së Amerikës, nëpër konferenca, takime dhe simpoziume shkencore. Nuk shihen fotografi të Camajt në vendlindje, në Temal, apo kohës së shkollës në kolegjin jezuit të Shkodrës.
Erika Camaj e vizitoi e vetme vendin e tij të lindjes në vitet 1994-1996.

Ekspozita, e hapur dje në Qendrën e Studimeve Albanologjike, me rastin e dekorimit të Martin Camajt me titullin “Nderi i Kombit” qëndron e hapur deri më 10 nëntor. Pritej që pas ceremonisë së dekorimit, ekspozitën ta vizitonte edhe presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, por kjo vizitë u anulua. Mendohet që ky prezantim të shtegtojë edhe në Shkodër, Elbasan, Vlorë, Prishtinë.

Pse “Nder i Kombit”

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dekoron me urdhrin “Nderi i Kombit” (pas vdekjes), Martin Camajn, me motivacionin: “Personalitetit të mirënjohur që dha një kontribut të rëndësishëm në studimin e gjuhës dhe kulturës kombëtare dhe në njohjen e shkencave albanologjike në botë; shkrimtarit të shquar që krijoi nga veprat më të mira të letërsisë moderne shqipe”. Në aktivitet ishte e pranishmja e shoqja e shkrimtarit, njerëz të letrave, albanologë, studiues.

Ky titull i jepet shkrimtarit me rastin e 85-vjetorit të lindjes, një përvjetor që u kujtua me një konferencë shkencore nga Qendra e Studimeve Albanologjike, u botua vepra e plotë letrare në 10 vëllime nga Dega e Albanologjisë në Universitetin e Mynihut dhe u hap kjo ekspozitë me objekte personale e fotografi e hapur dje në Qendrën e Studimeve Albanologjike, duke mbyllur itinerarin e aktiviteteve për Camajn.(Shekulli)

‘Topi i Artë’, në listë 7 spanjollë

Posted: 27 Oct 2010 02:01 PM PDT

Shtatë lojtarë të përfaqësueses së Spanjës kampione e botës, zënë vend në listën e kandidatëve për topin e artë të këtij viti. Një katërshe nga Barcelona, Xavi Hernandes, Carles Puyol, Andres Iniesta, i cili shënoi dhe golin e fitores në finalen e kupës së botës përballë Holandës, dhe David Villa.

Ndërsa të përfshirë në listë janë edhe lojtarët e Real Madrid, Iker Casillas dhe Xabi Alonso, si dhe mesfushori i Arsenal Cesc Fabregas.
Plotësojnë listën sulmuesi i Chelsea, Didier Drogba si dhe futbollisti ganez që luan me Sandërlend, Asamoah Gyan.

Në listë nuk është përfshirë asnjë lojtarë i përfaqësueses angleze.
Gjermanët përfaqësohen me Mesut Ozil, Miroslav Klose, Philipp Lahm, Thomas Muller dhe Bastian Schweinsteiger.

Lionel Messi dhe Christiano Ronaldo gjejnë vend gjithashtu në listë.
Fituesi do të shpallet gjatë një ceremonie gala e cila do të mbahet më 10 Janar në Zvicër.(Shekulli)

Më shumë trysni ndaj Serbisë

Posted: 27 Oct 2010 01:30 PM PDT

Vendimi i Bashkimit Evropian për t’ia hapur dyert Serbisë drejtë anëtarësimit nuk është pritur mirë në opinionin gjerman. Në një koment të botuar, gazeta prestigjioze “Suddeutsche Zeitung” akuzon Bashkimin Evropian se panevojshëm është duke lëshuar pe ndaj Serbisë. BE-ja, thekson gazeta duhet të ketë kujdes dhe të mos e favorizojë Serbinë, duke i mundësuar asaj një çmim më të lirë.

“Në rastin e Serbisë ende nuk mund të flitet për një anëtarësim të pritshëm. Ministrat e jashtëm evropianë i kanë lejuar Beogradit vetëm hapin e parë në rrugën e gjatë të anëtarësimit në BE. Por, edhe me këtë kanë dërguar një sinjal të gabueshëm. Është dyfish negative që të hiqet dorë nga arrestimi dhe ekstradimi i kryekriminelëve të luftës si Ratko Mladic si parakusht për fillimin e procesit të anëtarësimit. Nga njëra anë dëmtohet kredibiliteti gjatë penalizmit të krimeve të luftës. Nga ana tjetër, Beogradi tani e di se BE-ja është një negociatore e butë. Një negociatore që mund të detyrohet të lëshojë pe, nëse vetëm parasheh rreziqe dhe nëse kërcënohesh me trazira nacionale”, shkruan “Suddeutsche Zeitung”.

Gazeta hedh poshtë edhe argumentin e ministrave të jashtëm të BE-së, të cilët theksuan se nuk mund të dënohet një popull i tërë vetëm për shkak të një njeriu.
“Kush flet kështu, qëllimisht e injoron faktin se Mladic dhe shokët e tij edhe sot mbrohen nga qarqet më të lart, pra ata janë pjesë e mendësisë shtetërore serbe. Një gjeneral aq prominent njihet gjithkund dhe prapë thonë të gjithë nuk e kanë parë- ose e kanë parë vonë. Rasti Mladic është gjithsesi edhe një rast i qarqeve sunduese në Beograd”, nënvizon e përditshmja nga Munihu.

Në koment po ashtu kritikohet qëndrimi i BE-së se Serbia duhet të shpërblehet për sjelljen e saj paqësore me rastin e shkëputjes së Kosovës.
Sipas gazetës gjermane, nuk ka arsye që Serbia të shpërblehet me bonuse politike në çështjet evropiane, sepse humbjen e Kosovës e ka shkaktuar vetë.
“Suddeutsche Zeitung”, thekson se në aspektin afatgjatë Serbia duhet të jetë pjesë e BE-së, por vetëm atëherë kur është në paqe me fqinjët dhe me vetveten, kur t’i ekstradojë kriminelët e luftës kur në brendinë e saj të jetë demokratike dhe shtet juridik sipas rregullave të BE-së. /Koha/Telegrafi/